Shtypi italian u kënaq për rrahjen që kombëtarja e tyre ia shkaktoi Anglisë në tokën e saj aq sa u kënaq edhe duke i tallur tifozët anglez për brohoritjen e tyre “Po vjen në shtëpi”.
Italia e mundi Anglinë 3:2 në penallti pas një barazimi 1:1 gjatë 120 minutave, për ta fituar trofeun e dytë evropian të dielën në Wembley të Londrës.
Gianluigi Donnarumma ishte heroi i Italisë pasi i priti tri prej pesë goditjeve të anglezëve në penallti, para 66 mijë tifozëve në Wembley, për ta kthyer titullin evropian në Itali pas plot 53 viteve.
Mancini e ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Italinë, që prej se e mori drejtimin e saj më 2018, duke mos pësuar disfatë në 34 ndeshje radhazi.
Ballinat e shtypit italian për ditën e hënë ishin: “Ne e pushtuam Wembley-n”, “Itali, ti je Mbretëresha”.
E përditshmja Gazzetta dello Sport shkroi: “Ishte një natë e paharrueshme në Londër. Pas dy minutave ishim në disavantazh. Pastaj Bonucci e barazoi rezultatin… ekipi diti sesi ta rimarrë një ndeshje që dukej e humbur, sepse kështu dinë vetëm ekipet më të mëdha”
Enrico Curro, gazetar i La Repubblica shkroi: “Në shtëpinë e Anglisë, e cila është duke agjëruar pambarim që prej Kupës së Botës më 1966 dhe në teatrin shurdhues të mbushur përtej kufizimeve që i ka shkaktuar COVID, të kaltrit e fituan titullin e dytë evropian”.
Mbrojtësi Leonardo Bonucci, i cili e shënoi golin e barazimit për Italinë, u talle me anglezët dhe me brohoritjen e tyre “Po kthehet në shtëpi”.
Derisa po sillej nëpër fushë duke festuar, Bonucci i talli tifozët anglezë duke bërtitur: “Më shumë pasta! Ne duhet të hamë më shumë pasta!”
Më pas, ai e kapi kamerën dhe bërtiti: “Po kthehet në Romë”, duke iu referuara sloganit të tifozëve të tre luanëve “Po kthehet në shtëpi”.