Gjatë ditës së djeshme në medie të ndryshme vendore ka qarkulluar lajmi se Klubi i Basketbollit Vjosa nga Shtimja është tërhequr nga garat, ndërsa përmes një komunikate është thënë se kjo ka ndodhur për shkak se Ismet Rexhepi në momentin e fundit ka hequr dorë nga përkrahja financiare.
Vetë zoti Rexhepi për gazetën Objektiv ka thënë se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
“Jam i befasuar me atë që është spekuluar gjatë ditës së djeshme. Është diçka e papranueshme, e çuditshme, madje edhe tendencioze”, ka thënë fillimisht Rexhepi, i cili njihet si donator i madh në sportin kosovar, me theks të veçantë në basketboll.
“Unë asnjëherë nuk kam thënë se do të jem donator i KB Vjosa, por është krejtësisht e pavërtetë që kam thënë se nuk do ta ndihmoj klubin me asnjë euro. Aktiviteti im është fokusuar në Shoqatë dhe bashkë me shokët që janë në Bord, por edhe me të tjerë, do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që përkundër vështirësive, qoftë për shkak të pandemisë apo të natyrave tjera, t’i përkrahim klubet sportive. Sidoqoftë, është absolutisht e pavërtetë që unë kam thënë se nuk do ta përkrahim me asnjë euro KB Vjosa”, ka shtuar Rexhepi, i cili ishte edhe iniciator për themelimin e SHKS Vjosa.
Sa i përket tërheqjes së tij nga ndihma për KB Vjosën, ai tha: “Ne kemi komunikuar me përfaqësuesin e KB Vjosa dhe nuk kam thënë se nuk do ta ndihmojmë, por po ashtu nuk kam thënë asnjëherë se do të jem donator i klubit. Realisht, ne i kemi sugjeruar që sivjet të mos marrin pjesë në ligë, derisa të konsolidohen më mirë, ndërsa prioritet do t’u japim klubeve në sportet tjera, që janë themeluar më herët dhe tashmë janë më mirë të organizuara”.
Në fund, Rexhepi ka shtuar se kryesia e Shoqatës do të mblidhet së shpejti dhe do ta sqarojë edhe këtë situatë.