Sergio Rico ishte mes jetës dhe vdekjes pas rënies nga kali disa muaj më parë në Spanjë. Portieri i Paris Saint Germain qëndroi disa javë në gjendje kome, por fatmirësisht tani 30-vjeçari gjendet pranë familjes shëndoshë e mirë. Gardiani duket se ka kapërcyer momentet më të këqija dhe tani është gati të kthehet në fushë.
Rico dha një interviste të gjatë për median italiane “DAZN” ku theksoi:
“E vërteta është se ndihem shumë mirë, kam përshtypjen se gjithçka është si më parë. Do të thoja që jam rikuperuar në masën 90%, në fund ajo që më mungon është të jem në sport në nivelet më të larta, por ndjesitë e mia janë shumë të mira dhe mezi pres të rikthehem – shpjegoi Rico.
Më tej portieri u pyet edhe për rrezikun e kthimit të tij ne fushën e lojës, por Sergio ishte shumë i qartë në këtë drejtim:
“Kur të kthehem në 100%, do të filloj përsëri stërvitjen për t’u rikthyer në ekip. Të gjithë mjekët më kanë thënë se do të jem në gjendje të luaj pa asnjë problem, kështu që nëse ata nuk kanë frikë, pse duhet të kem frikë unë? – mbylli deklaratën e tij spanjolli.
Sergio Rico e nisi karrierën e tij te Sevilla, atje ku spikati me paraqitjet e tij me andaluzianët. Më tej ishte një aventurë e shkurtër në Premier League me Fulhamin, ndërsa më tej erdhi transferimi në Francë te PSG.
Në vitin 2022 klubi vendosi huazimin e tij te skuadra e Mallorca, me portierin që u rikthye sërish në “Parc De Princes” pas vetëm një sezoni në La Liga.