Filippo Inzaghi ndodhet aty ku është goli, nëse parafrazojmë Guido Meda. Ka qenë kështu gjithmonë. Në zonën e penalltisë, sidomos në ndeshjet që peshojnë me të vërtetë shumë, që vlejnë trofe dhe medalje. Nuk është rastësi që gjithmonë e kanë quajtur “Superpippo”, një superhero që zgjidhte problemet e Milanit, mbi të gjitha. Gjithashtu, në një masë më të vogël, zgjidhte problemet e Juventusit dhe kombëtares italiane.
Gjithsesi, është një moment gjatë karrierës së tij të lavdishme dhe fituese, kur Inzaghi nuk është aty. Nuk duket askund në fushë, madje nuk figuron as në pankinë. Është në tribunë, duke vuajtur si një tifoz i zakonshëm. Një ngjarje shumë e rrallë për dikë që ka jetuar gjithmonë, dhe ende vazhdon të jetojë, me rroba të tjera, ato të topit.
Stamboll, më 25 maj 2005. Përballen dy skuadrat e njohura të kontinentit, Milan-Liverpool. Finalja më e çmendur ndonjëherë e Ligës së Kampionëve, bashkë me Bayern-Manchester United, gjashtë vite më herët. Milani e mbylli me avantazhin 3-0 pjesën e parë, ndërsa fundi i kohës së rregullt solli barazimin 3-3. Një përmbysje epike e Liverpool në pjesën e dytë. Pastaj koha shtesë, bashkë me portierin Dudek, i cili bën “fenomenin” edhe përballë Shevchenkos. Më pas bëhet mbreti i penalltive.
Mungonte Inzaghi, i cili për dy vite qëndroi më shumë në infermieri sesa në fushë. Në fakt kishte shpresë konkrete, të nxitur nga fjalët e Carlo Ancelotti në prag të sfidës së madhe, për të luajtur të paktën disa minuta në atë finale. “Inzaghi po shkon mirë, – thoshte “Carletto” në konferencën për shtyp, – ndaj mund të përdoret disa minuta. Pastaj, duke mos luajtur shumë deri më tani, është një nga lojtarët më të freskët në dispozicion”.
Por, ndodhi e kundërta. Në momentin e dorëzimit të formacioneve, të gjithë fërkojnë sytë. Përpara tij është Crespo dhe Shevchenko. Deri këtu gjithçka duket në rregull; sepse po flasim për duetin tipik sulmues të sezonit. Por, ai që zgjidhet për stolin është Tomasson, i cili për cilësi teknike dhe CV duhet të ishte sulmuesi i katërt teorik i skuadrës kuqezi. Për Inzaghi, i cili vetëm tri ditë më parë kishte luajtur ndaj Palermos në kampionat, dyert e finales hapen me hidhërim.
Për të kuptuar se si u arrit në një situatë të tillë, me sa duket paradoksale, nëse shikojmë të gjithë rrugën e tij me Milanin, është e nevojshme të analizojmë periudhën 2-vjeçare (2003-2005) në mënyrë të përgjithshme. Mbi të gjitha duhet nënvizuar mundimi i dhimbjeve të vazhdueshme fizike dhe psikologjike.
Në sezonin 2003-2004, Pippo luajti vetëm 14 ndeshje në Serie A (plus 8 të tjera në Ligën e Kampionëve), me 2 gola nën emrin e tij. Ai duhej të ndalej seriozisht për herë të parë në fund të vitit 2003, për shkak të një problemi të muskujve të kofshës dhe viçit, që e largoi nga “Intercontinental” kundër Boca. Inzaghi kthehet në janar, por një problem i ri i viçit e detyron të futet sërish në “bokse”. Pastaj, në prill dëmtoi këmbën e majtë dhe duhej të përfundonte në operacion.
Rezultati? Sezoni përfundoi herët për të. Mungoi ftesa për Europianin portugez, ku edhe ai, me një “hat-trick” themelor ndaj Uellsit, kishte kontribuar në kualifikimin e Italisë. Për këtë arsye Milani vendosi të mbrojë veten në treg; mori Hernan Crespo në formë huazimi nga Chelsea. Edhe pse Adriano Galliani shprehej ndryshe: “Ne e morëm Crespo, sepse kishim nevojë për katër sulmues të vlefshëm, jo sepse ishim të vetëdijshëm për problemet e Inzaghi”.
Sezoni 2004-2005 nuk fillon ndryshe. Inzaghi ende ka probleme me kyçin e këmbës së operuar. Rezulton se ligamenti është i dëmtuar, gjithashtu. Tensione mes tij dhe Milanit, me akuza se ka bërë me kokën e tij, duke zgjedhur mjekë pa pëlqimin e klubit. Një raund tjetër, një operacion tjetër, këtë herë në vjeshtë. Ndërkohë, Crespo fillon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësirë, me kushtin që Ancelotti të mos vendosë të shkelë “diktatin” e Berlusconit për t’u rikthyer në “pemën e dashur të Krishtlindjes”.
Se ishte një vit i mallkuar, pastaj mund të kuptohej mjaft qartë në fund të janarit. Inzaghi kthehet në fushë në çerekfinalen e parë të Kupës së Italisë kundër Udinese dhe lëndohet përsëri: frakturë e dorës së djathtë. “Durim, – thoshte Inzaghi filozofik, – do të thotë që të përgatitesh edhe më mirë për finalen e sezonit. Të zemërohesh nuk është e dobishme, duhet ta pranoj. Shpresoj t’i kem mbyllur llogaritë me fatin të keq…”
Inzaghi rikthehet për në fazën finale të kampionatit, i cili e sheh Milanin të renditet në vendin e dytë, pas kampionëve të Juventusit. Ai u rikthye te titulli më 15 maj, shtatë muaj pas dëmtimit të fundit, në Lecce, pasi kishte vuajtur vërtet shumë. Me të vërtetë një çlirim.
Sezoni 2005-2006 i tij përfundon me zero gola, një rekord negativ historik për të, por është e qartë se Ancelotti duhej ta mendonte Inzaghi si një partner të mundshëm të Shevchenko në Stamboll. Sepse Inzaghi ishte njeriu i netëve europiane…