Corriere dello Sport raporton se Lois Openda dhe Christopher Nkunku janë ndër objektivat kryesorë të Interit për repartin ofensiv, pasi trajneri i ri, Cristian Chivu, ka kërkuar me ngulm një sulmues për të zëvendësuar Mehdi Taremi.
Sipas raportit, sulmuesi i Leipzig, Openda, është favorit i lehtë në krahasim me Nkunkun, i cili aktualisht është jashtë planeve te Chelsea.
Megjithatë, që të dy janë në listën e preferencave të Chivu, i cili dëshiron një lojtar që mund të sjellë paparashikueshmëri dhe kreativitet në sulm, diçka që mungoi gjatë sezonit të kaluar dhe që nuk u arrit me Taremi.
Interi tashmë ka nënshkruar me Ange-Yoan Bonny nga Parma dhe ka vendosur të mbajë në skuadër Francesco Pio Esposito, por gjithashtu po punon për largimin e Taremit, pas një sezoni zhgënjyes në ‘Giuesppe Meazza’.
Sipas të njëjtit burim, për Taremin tashmë kanë shprehur interes Fulham, Nottingham Forest dhe Besiktas, ndërsa agjentët e sulmuesit e kanë ofruar atë te Fenerbahce e Jose Mourinhos.
Interi nuk dëshiron të shpenzojë më shumë se 30-35 milionë euro për sulmuesin e ri dhe ka vendosur një çmim prej rreth 10 milionë eurosh për largimin e Taremit.
Zhvillimet e afatit kalimtar pritet të përshpejtohen në javët në vijim, ndërsa Chivu kërkon të ketë skuadrën e kompletuar sa më parë për sezonin 2025/2026.