Interi rikthehet fuqishëm në garën për një vend në zonën Champions, teksa mposhti Veronën me rezultatin e thellë 0-6 dhe regjistroi fitoren e tretë radhazi, që e ngjit në vendin e katërt me 60 pikë.
Zikaltrit dominuan totalisht, teksa pas disa pritjeve të Montipo, ishte Gaixh që devijoi topin në portën e tij në mënyrë të pafat, duke u dhënë avantazhin djemve të Simone Inzaghit.
Minutat 36’ dhe 37’ ishin vendimtare për fatin e takimit, pasi fillimisht ishte Calhanoglu që shënoi një gol spektakolar dhe më pas ishte Dzeko që dërgoi topin në rrjetë për herë të tretë, duke çuar skaudrën në dhomat e zhveshjes me avantazhin 0-3.
Në pjesën e dytë ishin Lautaro dy herë dhe Dzeko që shënuan sërish, duke vulosur fitoren e thellë 0-6, që sinjalizon edhe rikthimin e Interit në një formë të shkëlqyer, në sprintin final të sezonit.
Milani zhgënjeu në shtëpi, këtë herë përballë Cremoneses, ku nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1. Ishte Okereke ai që shënoi në minutën e 77’, pasi bëri çfarë deshi me dy qendërmbrojtësit kuqezi dhe dërgoi topin në rrjetë. Kuqezinjtë u përgjigjën me Kruniç në shtesë, duke shmangur humbjen dhe marrë një pikë me vlera.
Nuk shkoi përtej barazimit 1-1 edhe Roma në transfertën ndaj Monzës, ndonëse kaloi e para në avantazh. El Sharawi u dha avantazhin verdhekuqve, por më pas ishte Caldirola ai që riktheu baraspeshën, duke ndalur verdhekuqtë.
Mori tre pikët Lazio, që iu fal një goli të Felipe Anderson në minutën e 14 dhe një tjetri të Basic në shtesë, për të fituar me rezultatin 2-0 ndaj Sassuolos dhe për të ruajtur vendin e dytë në renditjen e Serisë A.