Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Kosovë – Rumani, shumë pak bileta kanë mbetur të lira

Kombëtarja e Kosovës me 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nis rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve ku në ndeshjen e parë takohet me Rumaninë.

Kosova e Rumania janë favoritët kryesorë për ta fituar grupin në Ligën C në këtë kompeticion dhe kjo është arsyeja që interesimi për këtë ndeshje të jetë shumë i madh.

Federata e Futbollit e Kosovës përmes platformës online, ka nxjerr në treg biletat derisa interesimi duket shumë i madh, pasi tashmë shumica e tyre janë shitur dhe në treg kanë mbetur pak bileta, shkruan Ballkani.info.

Sektori i Lindjes dhe ai i Perëndimit veçse është i mbushur, derisa ata që janë të interesuar për bileta këtë mund ta bëjnë për në sektorin Jug dhe disa vende të lira janë në VIP.

Të kujtojmë se për këtë ndeshje trajneri Franco Foda, pritet të sjellë disa risi, ndërsa emrat më të mëdhenj që do të ftohen janë ai i Fisnik Asllanit dhe Elvis Rexhbeçaj të cilët së fundmi i thanë ‘PO’ për t’iu bashkuar fanellës dardane.

Ndeshja Kosovë – Rumani luhet me 6 shtator nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *