Inter-i nuk ka ndërmend të ndalet. Zikaltrit kanë mundur 3-1 Roma-n në San Siro dhe kanë marrë përkohësisht kreun e Serisë A në pritje të ndeshjes që Milan-i do të luajë nesër kundër Lazio-s.
Nuk duhet harruar se skuadra e Inzaghi-t ka një ndeshje për të rikuperuar.
Nuk ka patur histori në sfidën e zhvilluar në Meazza. Kampionët në fuqi kanë dominuar ndeshjen nga minuta e parë deri tek ajo e fundit dhe kjo duket edhe nga rezultati.
Takimi është zhbllokuar në minutën e 30-të nga Dumfries, i cili ka mposhtur portierin Rui Patricio me lehtësi pas një asisti të bukur të marrë nga Calhanoglu.
Dhjetë minuta më vonë ka ardhur dyfishimi i avantazhit me Brozovic. Kroati e ka dërguar topin në trekëndësh pas një aksioni të bukur të skuadrës.
Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 52-të, vendasit kanë shënuar edhe golin e tretë me Lautaro Martinez. Argjentinasi është harruar nga mbrojtja mike gjatë një goditje nga këndi dhe ka realizuar me kokë.
Reagimi i skuadrës së Jose Mourinho-s ka ardhur pesë minuta para fundit. Mkhitaryan ka finalizuar një aksion të bukur të verdhekuqve me një goditje të fortë nga brenda zone.