Nga Liga e Dytë spanjolle, në Turqi. Më tej, në Amerikën Latine. Armando Sadiku është transferimi më i fundit i kuqezinjve, i cili ka zgjedhur vijimin e karrierës për të paktën një vit te Bolivari, skuadra më e titulluar e Bolivisë.
Po çfarë detajesh ka tjetër në kontratën e shqiptarit? “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht pagën që do të përfitojë Sadiku në vitin e parë të karrierës në Bolivi.
PAGESA
Nga burime të besueshme, gazeta ka mësuar ekskluzivisht se Armando Sadiku do të përfitojë një pagesë prej 1 milion dollarësh në vit.
Një pagesë neto për bomberin e Kombëtares, pa përfshirë edhe klauzola ekstra dhe përfitime dytësore që mund të vijnë nga arritje personale ose edhe kolektive me skuadrën e Bolivarit.
Armando Sadiku do të ketë një peshë të rëndësishme në skuadër, duke qenë se do të zëvendësojë Rikelmen, ish-sulmuesin e larguar me 13 gola në 21 ndeshje.
Bomberi i Kombëtares bëri një prezantim fantastik në skuadrën e re, duke qenë se në 30 minuta ku u aktivizua në një ndeshjemiqësore, ia doli që të realizonte dy gola si dhe të asistonte një tjetër. Sezonin e shkuar, Armando Sadiku ishte pjesë e Malagës në Ligën e Dytë të Spanjës duke bërë një paraqitje fantastike.
Sulmuesi shënoi 13 gola në kampionat, në 36 ndeshje që u aktivizua me ekipin spanjoll. Më tej, transferimi i tij në kampionatin turk nuk ishte në nivelet që vetë sulmuesi ka pritur.
Sadiku nuk shënoi asnjëherë në tokën turke në nëntë takime, mes kampionatit dhe Kupës. Në Bolivi, Sadiku do të ketë sfidën për të luajtur në një kontinent tjetër, duke qenë pjesë e Bolivarit e cila është skuadra më e titulluar në vend si dhe për të përballuar edhe vështirësinë e klimës, meqenëse bëhet fjalë për lartësi deri në më shumë se 3000 metra mbi nivelin e detit.