Pamje gjithnjë e më pak e lezetshme; koka poshtë, i dërrmuar psikologjikisht, çuditërisht. Si “avulloi” Lautaro Martinez?
Një pyetje që të gjithë po e shtrojnë, tek Interi dhe më gjerë, pas rifillimit të sezonit.
Një pyetje që është bërë përsëri shumë aktuale, pas penalltisë së humbur të argjentinasit në disfatën e djeshme kundër Bologna.
Një episod që shërbeu si acid në një plagë shumë të dukshme… Lautaro i fillimit të sezonit thjesht është zhdukur.
I errët, i pasaktë, i fikur. Ai sulmuesi “vdekjeprurës”, që bashkë me Romelu Lukaku ishin simbole të Interit, i cili luftonte për titull, nuk ekziston më.
Lautaro ka “avulluar” dorë për dore me rrëzimin e zikaltërve, të penalizuar nga barazimi kundër Sassuolo dhe nga humbja kundër Bologna në garën e titullit.
Ndoshta kjo fikje e argjentinasit ka lidhje me thashethemet e vazhdueshme të transferimit të tij te Barcelona. Disa thonë se dëshiron të shkojë atje, të tjerë ngulin këmbë se dëshiron të qëndrojë e të rritet tek Interi;
Messi e kërkon në ekipin e tij, të dyja klubet diskutojnë për homologët dhe çmimin. Cili futbollist nuk do të lodhej në këtë situatë amullie?
“Lautaro nuk ka treguar as vullnetin më të vogël për t’u larguar, – tha Beppe Marotta për DAZN, para ndeshjes kundër Bologna. – Të jesh lojtar i Interit do të thotë të jesh pjesë e nje ekipi të shkëlqyeshëm. Ky fakt duhet të jetë burim krenarie e madhe për të”.
Megjithatë, është e pamohueshme se Lautaro i para Covid-19 nuk duket më në fushat e blerta.
Shenja e parë në këtë drejtim u dha në gjysmëfinalen e kthimit kundër Napolit, e cila i pa “azzurri” të shkonin në finale, me argjentinasi plotësisht jashtë loje.
Edhe në ndeshjet në vijim të kampionatit nuk bëri më mirë.
Lautaro shënoi vetëm kundër Sampdoria, me një prekje të lehtë, i asistuar përsosmërisht nga Candreva.
Po ai gol duket si një flluskë në errësirë. Fillimisht qëndroi në pankinë kundër Sassuolo, pastaj mbeti thatë edhe ndaj Brescia, pavarësisht rezultatit tenistik 6-0 ndaj saj. Shëtiti fanellën në fushë kundër Bologna, teksa ra në sy vetëm me goditjen e penalltisë, që përfundoi në duart e portierit mik.
Emblema e vështirësive të Lautaro mund të gjendet pikërisht në ndeshjen e disa ditëve më parë, kundër Brescia.
Ishte si një ndeshje kontrolli, nga ato që zikaltrit luajnë kundër të rinjve të vet të enjteve, në kushtet normale të kalendarit. Të tilla ishin forcat në fushë.
Thuajse shënuan të gjithë, përveç atij. “Toro” përplaset, është nervoz, do të donte të merrte pjesë në këtë “festival golash”, por të tjerët argëtohen. Ai nuk e bën këtë.
Rezultati? Interi humbet “trenin”, që do ta kishte afruar në vendin e dytë dhe me këtë ritëm rrezikon, gjithashtu, të tretin, sepse Atalanta është në një formë të shkëlqyeshme dhe duket se nuk tregon asnjë shenjë të ngadalësimit të ritmit.
Nuk është i gjithë faji i Lautaro, sigurisht jo, por është fakt që, nëse ai bie poshtë, e gjithë krijesa e Conte bjerret nga pak. Ashtu si thashethemet për një lamtumirë, me Barcelonën në sfond, nuk duket se zbehen…