Miqësorja e konsideruar si historike, në mes përfaqësueses së Kosovës dhe Haitit, e cila ishte takimi i parë ndërkombëtar nën monitorimin e FIFA-s, ndodhi më 5 mars 2014, dhe përfundoi me rezultat 0:0.
Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë që kishte marrë pamjen e një stadiumi evropian, ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare të përfaqësueses kosovare.
Ekipi vendas tregoi më shumë nga loja në fraksionin e parë. Fillimi ishte i ndikuar nga emocionet, por me kalimin e minutave, ata filluan të tregoheshin një skuadër e qëndrueshme.
“Dardanët” nuk u ndalën së sulmuari, ata bënë presion, e dominuan gjysmëlojën e parë, krijuan shumë raste, mirëpo goli mungoi. Vendasit e nisën edhe më fuqishëm gjysmën e dytë, në tentim të vazhdueshëm për të ndërtuar aksione që do ta ndëshkonin Haitin.
Lojtarët mysafirë arritën që për një periudhë ta qetësonin paksa lojën, mirëpo kosovarët shumë shpejt kthyen dominimin ofensivë në fushë.
Përpjekjet e futbollistëve që përfaqësonin Kosovën vazhduan deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit, por goli nuk erdhi.
Mbi 17 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur këtë lojë historike, ndërkohë që aty nuk munguan edhe udhëheqësit kryesorë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari.