Kualiteti i Eden Hazard nuk vihet në dyshim, por ylli belg nuk po arrin të lërë shenjen e tij te Real Madrid, aty ku u transferua nga Chelsea në verën e vitit 2019. Dëmtimet e shumta kanë ndikuar negativisht, por 30-vjeçari nuk e humbet optimizmin.
Në një prononcim për RTBF, Hazard flet rreth asaj çfarë pret nga viti 2021, teksa ndalet edhe te disa nga idhujt e tij. Në fund një koment dhe elozhe për Roman Riquelme, ish-mesfushorin e madh argjentinas.
“Shpresoj që të dhuroj paraqitje më të mira në fushën e blertë. Të gjithë, duke filluar nga unë i pari, presim që të luaj më shumë dhe më mirë. Të shohim nëse fiziku im do ma lejojë një gjë të tillë. Nëse dëmtimet nuk do të ndalen, atëherë nuk do e kap moshën 35-vjeçare…”
“Gjithsesi, unë ndihem i ri, kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse do më duhej t’i ‘rrëmbeja’ ndonjë cilësi dikujt? Sigurisht që do të merrja cilësi nga Messi urinë për fitore të Cristiano Ronaldos dhe klasin e Zidane”.
“Nëse do të më duhet të flas për një futbollist të cilin nuk e kam takuar kurrë dhe do të më pëlqente të kisha luajtur me të, zgjedh Roman Riquelme. I kam parë të gjithë videot e tij kur kam qenë më i vogël”.
“Do të më kishte pëlqyer të isha takuar në ndonjë fushë futbolli me të, ose thjesht të uleshim dhe të bënim muhabet bashkë. Do të ishte diçka fantastike“, deklaron fantazisti belg i “Los Blancos”.