Manchester City ka siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola regjistroi fitore të thellë ndaj Leipzigut, skuadër me të cilën kishte barazuar 1:1 në ndeshjen e parë.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Etihad Stadium” përfundoi me rezultatin 7:0, me kampionin në fuqi anglez që tutje kalon me rezultatin e përgjithshëm 8:1.
Erling Haaland ishte i pandalshëm sonte, duke shënuar pesë gola.
Norvegjezi e kompletoi het-trikun e tij në pjesën e parë, pasi shënoi në minutat 22’, 24’ dhe 45+2’. Goli i tij i parë ishte nga pika e penalltisë.
“Qytetarët” nuk u ndalën as në vazhdim, kur shënuan vetëm pak minuta pasi filloi pjesa e dytë. Ishte Ilkay Gundogan që shënoi në minutën e 49-të.
Haaland u shfaq sërish në skenë me dy gola të tjerë, duke shënuar në minutat 54’ dhe 57’.
Goditjen përfundimtare gjermanëve ia dha Kevin De Bruyne, i cili shënoi në minutën e 90+2’.
Manchester City kundërshtarin e radhës do ta mësojë pas tërheqjes së shortit.