Futbollisti i Osijekut kroat, Eros Grezda është gjobitur nga një gjykatë kroate për sulmin e kryer ndaj një lojtari kundërshtar, kanë njoftuar mediat në Kroaci.
Pas një ndeshje në mes të Rijekës dhe Osijekut, vitin e kaluar, Grezda kishte goditur me shuplakë në fytyrë lojtarin e Rijekës, Antonio Mirko Çolak, që tani luan për PAOK-un.
Grezda 25-vjeçar, është shpallur fajtor për shkeljen e Nenit 13 të Ligjit për Kundërvajtje, përkatësisht për prishje të rendit publik. Ai është gjobitur me 769,20 kuna (101.65 euro).
Sipas aktakuzës, incidenti ndodhi pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, më 31 maj të vitit të kaluar.
Grezda i revoltuar për humbje të ndeshjes, ka thirrur Çolakun dhe pasi i është afruar e ka goditur me shuplakë.
Çolak është larguar dhe Grezda ka vazhduar për në autobus. Grezda do të mbuloj edhe shpenzimet e gjykatës. Në mbrojtjen e tij Grezda ka shkruar se nuk ndihet fajtor. Futbollisti kosovar ka thënë se ishte i irrituar nga sjellja e Çolakut dhe fyerjet e tij, ndërsa i ka kërkuar falje këtij futbollisti edhe një herë.
Incidenti ishte incizuar nga kamerat dhe kishte bërë bujë në Kroaci. Grezda, që ka disa paraqitje me Shqipërinë, ka muaj që nuk po luan për shkak të një lëndimi.