Greqia, Kosovën e cilësoi kundërshtar më të lehtë se Moldavia, Vojvoda: Do ta shohin nesër kush jemi ne

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mbërritur sot në kryeqytetin grek Athinë, ku nesër zhvillon ndeshjen ndaj Greqisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova drejt Greqisë ka udhëtuar shumë e hendikepuar, përveç rezultateve të dobëta skuadrës sot i janë larguar edhe tre lojtarë Valon Berisha, Arbër Zeneli e Edon Zhegrova për shkak të lëndimeve dhe kjo e vështirëson edhe më shumë punën e ekipit tonë.

Megjithatë, futbollisti Mërgim Vojvoda në konferencën për shtyp para ndeshjes ka thënë se motivi nuk ka rënë dhe ata do të japim më të mirën nesër, pavarësisht se ekipi grek po i nënçmon.

“Tifozët gjithë i kemi pasur pas vetës, tash nuk i kemi në stadium por ata gjithmonë janë pas neve. Ne e japim gjithmonë maksimumin, nesër gjithashtu do ta japim maksimumin dhe presim rezultat të mirë. Askush më shumë se ne nuk dëshiron të fitojmë. Ne në të gjitha ndeshjet hyjmë për fitore. Nuk kemi ardhur këtu të flejmë por me fitu. Nuk e kemi një seri të mirë pasi ka qenë pandemia, kemi lojtarë të lënduar dhe duhet pasur parasysh këtë. Unë i lus të gjithë të jenë pas nesh dhe të na mbështesin. Ato nuk i marrë si kritika, pasi janë të zhgënjyer. Gjithsesi, ne nuk ndikohemi nga askush, vazhdojmë të jemi bashkë”, ka thënë Vojvoda duke folur më pas për Greqinë e cila Kosovën e ka cilësuar si kundërshtar më të lehtë sesa Moldavia.

“Ata le të mendojnë çfarë të duan, kjo vetëm na e lehtëson punën. Ne nuk e nënçmojmë askënd, hymë me dhënë me të mirë dhe do ta shohin vetën nesër Greqia kush jemi ne”, ka thënë Vojvoda. /Zeri.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *