Majlinda Kelmendi e ka humbur mundësinë për të luftuar për medalje të artë në Grand Slamin e Tel Avivit, pasi është mposhtur nga Chelsie Giles në gjysmëfinale të enjten në Izrael.
Kampionia e artë olimpike nga Kosova Kelmendi e humbi luftën kundër britanikes Giles për një vend në finale në kategorinë 52 kilogramë, raporton GE.
Pas koha e rregullt përfundoi e barabartë, meçi shkoi në kohën shtesë (Golden Score), ku Giles ishte më energjike dhe e hodhi Kelmendin në dysheme duke fituar me Ippon.
Kemendi, megjithatë, do ta ketë edhe një mundësi tjetër për medalje, pasi do të luftojë për atë të bronztë në një duel kundër belges Charline Van Snick.
Paraprakisht, Kelmendi e kishte kaluar rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e kishte mposhtur gjermanen Annika Wurfel dhe në çerekfinale rusen Alesya Kuznetsova.
Kelmendi vjen në këtë turne pas medaljes së bronztë që e fitoi në Mastersin e Dohas në Katar muajin e kaluar.
Përveç saj, në Izrael do të garojnë edhe Akil Gjakova dhe Laura Fazliu.