Prishtina sot ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës duke e mposhtur Llapin me rezultat 2:1.
Prishtina pati një paraqitje të mirë edhe pse pjesën më të madhe të ndeshjes e zhvilloi me një lojtar më pak.
Gledi Mici dhe Endrit Krasniqi realizuan për badhelkaltrit, megjithatë goli i këtij të dytit erdhi nga një pozitë bukur e dyshimtë.
Gjatë aksionit pretendohet se Mendurim Hoti ka qenë në pozitë jashtë lojë. Ani pse ai nuk kishte kontakt me topin, Hoti ishte pjesëmarrës në aksion duke krijuar hapësirë për Krasniqit.
Numri një i bankinës llapjane Tahir Batatina, ka thënë se sipas pamjeve filmike, goli i Prishtinës ishte nga pozita e parregullt, madje në bazë të këtyre pamjeve edhe gjyqtari anësor nuk ishte i vendosur si duhet në vijë.
Sido që të jetë gjyqtarët e ndeshjes u konsultuan bukur gjatë me dhomën e VAR-it duke ardhur në përfundim se gjithçka ka qenë në rregull dhe goli i fitores së Prishtinës u pranua.