Gliha karikon Kosovën: Fanella e përfaqësueses është krenari, jemi gati të vdesim në fushë

Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në nisje të javës eliminatore, me ‘Dardanët’ që do të impenjohen ndaj Zvicrës në ‘Fadil Vokrri’ dhe më pas ndaj Rumanisë në transfertë.

Tekniku i Kosovës theksoi rëndësinë e veshjes së fanellës së përfaqësueses, teksa u ndal edhe te çështja Muja, me sulmuesin që u largua nga Dardanët, për të veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë.

Kosova vjen para këtyre dy takimeve me shanse minimale. A është e vështirë të motivosh futbollistët në të tilla momente?

Ne duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar dhe për një futbollist profesionist, nuk ka gjë më të rëndësishme. Nuk luajmë për para, por për dinjitet dhe duhet ta tregojmë në fushë këtë.

Çfarë do t’i ndryshoni ekipit?

Besoj që e keni parë listën dhe aty ka disa emra futbollistësh të rinj. Janë disa futbollistë që kanë qenë pjesë e Kosovës U21 dhe po përpiqemi të bashkëpunojmë, për t’i vënë sa më shpejt në dispozicion të skuadrës së parë. Tani do të punojmë për të parë rezultatet në fushën e lojës. Rezultati është primar dhe në funksion të arritjes së tij, do të zgjedhim edhe futbollistët e skemën.

Sa i shqetësuar jeni që lojtarë si Muja po ikin nga Kosova për të luajtur me Shqipërinë?

Lojtarë si Muja janë shumë të rëndësishëm dhe nuk duhet t’i lëmë të na ikin, ndaj po marrim të gjitha masat, që të mos përsëriten raste të tilla. Në rastin e Mujës kemi folur me të dhe nuk kishim asnjë mundësi t’i ndryshonim mendjen. E kemi kontaktuar atë, bashkë me presidentin e FFK-së dhe i thamë se e shohim si pjesë të rëndësishme, por tashmë Muja e kishte marrë vendimin e tij dhe nuk ia ndërronim dot mendjen…

Sa ju shqetësojnë mungesat?

Në futboll, ashtu si në jetë, jo çdo gjë shkon ashtu siç ne duam. Megjithatë ne nuk jemi këtu për të qarë për problemet që kemi, por për të gjetur zgjidhje, në mënyrë që të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz në fushën e blertë. Tani asgjë nuk është e lehtë, pasi ne kishim në plan grumbullimin e Emërllahut, por ai u dëmtua…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *