Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alain Giresse është duke folur në një konferencë për media në prag të ndeshjeve të marsit.
“Dardanët” do të sfidohen nga Burkina Faso dhe Zvicra në ndeshje kontrolluese, njëherit të parat për trajnerin francez.
Trajneri i Kosovës tha se këto dy ndeshje do ta ndihmonin Kosovën në përgatitje për ndeshjet e Ligës së Kombeve që zhvillohen në muajin qershor.
“Qëllimi është që t’i njohim lojtarët. Këto dy ndeshje miqësore do të na shërbejnë po ashtu për ta parë nivelin tonë dhe për t’u përgatitur për ndeshjet që do t’i kemi në muajin qershor në Ligën e Kombeve. Do të kemi ambicie maksimale. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira në miqësoret e këtij muaji”, deklaroi Giresse në konferencë për shtyp.
Kosova më 24 mars takohet me Burkina Fason në Prishtinë, ndërkohë që pesë ditë më vonë luan në udhëtim te Zvicra.
Ndryshe, nesër, 22 mars, djelmoshat e Giresses do të zhvillojnë stërvitjen e parë për këtë vit në “Fadil Vokrri” nga ora 16:00.