Gazeta amerikane, The International Business Times, shkruan se Fondi i Arabisë Saudite për Investime (PIF) – i cili e bleu Newcastle Unitedin muaj më parë – do ta blejë Interin nga Suning për një miliard dollarë (884.109 milionë euro) në ditët në vijim.
Kjo nuk është hera e parë që thuhet se Fondi Saudit ka shprehur interesim për ta blerë kampionin e tanishëm të Italisë.
Por lajmi në gazetën online IBT, e cila njihet për lajme të rëndësishme financiare, e bën këtë çështje më serioze dhe më të besueshme.
Sipas gazetës amerikane, marrëveshja mes PIF-it dhe kompanisë kineze Suning është arritur tashmë dhe dokumentet e shitjes së klubit do të mbërrijnë në zyrat e Interit në Milani pas disa ditësh.
Raportohet se çmimi i shitjes së Interit është marramendës, 884,109 milionë euro.
Ky lajm vjen vetëm pak ditë pasi Suning njoftoi se borxhi i kompanisë është duke u shlyer, por nuk është fshehtësi se kompania kineze ka kohë që kërkon investitorë të rinj.
Raportohet se Interi është duke pësuar humbje mujore prej 13 milionë eurove, pavarësisht se i shiti Romelu Lukakun dhe Achraf Hakimin në verë.
PIF-i e bleu klubin e Premierligës Newcastle Unitedin në tetor. Thuhet se ky fond është në bisedime për ta blerë edhe klubin francez Marseille.