Futbollisti i Hajdukut të Splitit i thotë po Kombëtares së Kosovës

Futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti ka vendosur që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës.

Ai, pas takimit të sotëm me presidentin Agim Ademi, e ka nënshkruar shkresën nëpërmjet të cilës do t’i kompletohet dokumentacioni i nevojshëm për t’u paraqitur në fanellën e Dardanëve.

Sahiti është sulmues anësor dhe aktualisht është duke kaluar formë shumë të mirë në kampionatin kroat. Në këtë edicion ai ka luajtur në 18 ndeshje me Hajdukun, duke qenë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës, teksa ka kontribuuar me 2 gola dhe 2 asistime.

Emir Sahiti në të kaluarën ka luajtur për ekipin Kombëtar të Shpresave të Shqipërisë, kurse tani dëshira e tij është që ta përfaqësojë Kosovën. Presidenti Ademi e përgëzoi Emir Sahitin për vendimin e marrë dhe i shprehu mirëseardhje në kampin e Dardanëve, me shpresë që viti 2022 do të jetë vit i sukseseve të përbashkëta.

Ndërkaq, Emir Sahiti u shpreh i lumtur që po i jepet mundësia që ta japë kontributin e tij për Kombëtaren e Kosovës, teksa theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe të japë maksimumin qoftë në fanellën e klubit të tij, e në të ardhmen edhe në fanellën e Dardanëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *