Futbolli francez në hall nga tifozët

Trazirat e tifozëve nuk janë ndonjë dukuri e re në futbollin francez.

Vetëm në dekadën e fundit, përkrahësit e Bastias kanë hedhur shufra prej druri në drejtim të lojtarëve të PSG-së, Anthony Lopes është goditur nga një fishekzjarr, ndërsa luante për Lyonin dhe një figurë e Mathieu Valbuena është varur në stadiumin “Velodrome”.

Ka pasur edhe incidente të tjera, por ato kanë qenë të rralla dhe zakonisht produkt i një armiqësie të veçantë midis dy klubeve, ose një lojtari dhe një klubi. Këtë sezon, megjithatë, këto përplasje kanë marrë një karakter më urgjent, sa goditës në ashpërsinë aq edhe frekuencën e tyre.

Pjesa tjetër e Evropës nuk është imune ndaj incidenteve të shëmtuara, siç ishte ai në stadiumin “Wembely” këtë javë kur tifozët e Hungarisë u rrahën me policinë, dhe në fillim të sezonit kur tifozët e rinj të Sparta Pragës fyen në baza racore lojtarin e Rangersit, Glen Kamara.

Por numri i incidenteve në Ligue 1 këtë sezon është alarmues. Ekziston një histori e fortë e bërjes së zërit të dëgjuar në shoqërinë franceze, por duket diçka më e shëmtuar dhe më kërcënuese në zemërimin që vjen nga tifozët e futbollit. Për të gjetur rrënjët e protestave, dhunës dhe trazirave këtë sezon, duhet të bëhet një kthim në janar të këtij viti, kur mbështetësit e Marseilles pushtuan terrenin stërvitor të ekipit për të protestuar kundër asaj që ata e panë si mungesë ambicieje nga klubi i tyre. Në një kohë kur tifozët nuk lejoheshin as brenda stadiumeve, ultrasit thyen portat e fushës së stërvitjes dhe lëshuan fishekzjarrë duke shkaktuar zjarre dhe madje duke plagosur mbrojtësin Alvaro Gonzalez. Tifozëve iu plotësua dëshira në fund.

Marseille reagoi ndaj zemërimit të tyre, duke emëruar Pablo Longorian si president dhe duke forcuar skuadrën e tyre në verë. Ndoshta, tifozët e tjerë kanë marrë parasysh këtë veprim sepse zemërimi i treguar nga tifozët e Marseilles në janar është përhapur në të gjithë Francën. Dhe, tani në vend se tifozët të jenë të kënaqur me faktin që janë rikthyer në tribuna, zemërimi i tyre ka përshkallëzuar me futjen e tyre nëpër terrene. Fundjava e hapjes së sezonit ishte menduar të ishte një kohë e gëzueshme për tifozët në Francë, të cilët po ktheheshin në stadiume për herë të parë pas 18 muajve, por futbolli u errësua nga dhuna që në fillim.

Ndeshja midis Montpellierit dhe Marseillet u prish nga turma vendase duke hedhur objekte, përfshirë një shishe që goditi mesfushorin e Marseilles, Valentin Rongier.

Arbitri e ndërpreu ndeshjen, por loja vazhdoi pas 12 minutash. E në Francë është rregull që ndeshja ndërpritet nëse është e nevojshme dhe pastaj duhet të përfundojë në mënyrë që të mos shqetësohen më tej tifozët vendas.

Montpellieri njihet për atmosferën e zjarrtë, por Marseille nuk është një nga rivalët e këtij klubi, kështu që dhuna erdhi si një befasi. Kreu i sigurisë së Montpellierit, Pierre-Marie Grappin, paralajmëroi tifozët me altoparlant se ata ishin “në rrezik t’i japin Marseillet dhuratën më të madhe” dhe ndeshja u zhvillua pa incidente të tjera, ndërsa Marseille fitoi me rezultatin 3:2.

Më pas, Montpellieri u godit me një mbyllje të pjesshme të stadiumit, me trajnerin Olivier Dall’Oglio duke u ankuar: “Është për të ardhur keq, sepse nga një veprim i disa individëve, po e pësojnë të gjithë”.

Marseille u bë lajmi kryesor dy javë më vonë për një incident që filloi në një mënyrë të ngjashme, me shishe që u hodhën në fushë.

Dimitri Payet, pa dyshim i frustruar që ishte në përfundim të një trajtimi të tillë dy herë brenda dy javësh, e hodhi shishen përsëri në turmë. Ndërsa, veprimet e Payetit nuk ishin të mençura, reagimi i tifozëve ishte edhe më i keq, pasi ata u futën në fushë duke u grushtuar me disa lojtarë dhe anëtarë të stafit të Marseillet. Trajneri i Marseillet, Jorge Sampaoli, ishte tejet i papërmbajtshëm në këtë rast. Fillimisht, ai duhej të mbahej nga përleshja prej stafit të tij dhe më pas, kur dukej sikur loja mund të rifillonte, ai mori çantën e shpinës dhe doli nga stadiumi. Ndeshja përfundimisht u ndërpre pas 70 minutash, me Nicen që ishte në epërsi 1:0. Nice u godit me një zbritje prej dy pikësh, njëra prej të cilave u pezullua dhe ndeshja u caktua të zhvillohet sërish në Troyes pas dy javësh. Përsëri, veprimi i tifozëve vendas i kushtoi ekipit të tyre.

Gjërat vështirë se janë përmirësuar javët e fundit. “Derby du Nord” midis Lensit dhe Lillet muajin e kaluar pa që të dy grupet e tifozëve të rriheshin mes vete, veprim ky që e vonoi fillimin e takimit për një orë. Ndeshja u luajt, me Lensin që fitoi 1:0, por u dënua që duelin e ardhshëm në shtëpi, atë kundër Strasbourgut, ta luajë me dyer të mbyllura. Një temë e ngjashme u dëshmua disa ditë më vonë, kur tifozët e Marseillet u përleshën me ata të Angersit brenda në fushë. Dhuna vazhdoi me përleshjen tjetër, atë mes tifozëve të Bordeauxit dhe Montpellierit ku shumë persona përfunduan në spital. Ndërsa, tifozët e Metzit i dhanë atyre të PSG-së një mirëseardhje të ngjashme në të njëjtën xhiro. Gjërat nuk janë më mirë as në Ligue 2, ku ka pasur disa incidente brenda javëve të fundit. Sulmuesi i Le Havre, Khalid Boutaïb, u përlesh me një tifoz muajin e kaluar dhe shumë objekte u hodhën në fushë kur Ajaccio e priti skuadrën e Niortit. Problemi duket se po përkeqësohet.

Marseille ndau imazhe të lëndimeve të lojtarëve në mediat sociale pas pushtimit të fushës në Nice. Liga franceze po vepron me mbyllje të stadiumeve, por ka ngurruar t’ua heqë pikët skuadrave. Nëse veprimet nuk ndërmerren së shpejti, atëherë Ligue 1 mund të fitojë një reputacion shumë më shqetësues këtë edicion dhe të konsiderohet si kampionati më i dhunshëm në Evropë shkaku i sjelljeve josportive të tifozëve.

“Disa klube arritën në të kaluarën t’i japin fund këtij huliganizmi të papranueshëm, dhe këtë duhet ta bëjnë edhe këtë sezon”, tha Jean-Michel Blanquer, ministri francez i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. “Ka njerëz që duhet të ndalohen nga stadiumet në të ardhmen për këto sjellje. Ne duhet të jemi të vendosur. Këta njerëz po e dëmtojnë imazhin e sportit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *