Kampioni i WBC në kategorinë e peshave të rënda, Tyson Fury, thotë se bashkëkombësi i tij që i posedon katër titujt e tjerë të kategorisë së tij, Anthony Joshua, nuk është aspak i rrezikshëm dhe insiston se s’i frikësohet atij.
Anthony Joshua dhe Tyson Fury i mbajnë të gjithë pesë titujt e kampionëve të botës në kategorinë e peshave të rënda dhe kjo ka bërë të pritet një meç mes atyre të dyve për ta gjetur kampionin e unifikuar të botës, transmeton GE.
Ata pritet të takohen në një meç në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021. Tani favoriti po konsiderohet Fury, i cili e mposhti Deontay Wilderin në shtatë runde në shkurt për t’ia marrë rripin e WBC.
Kur u pyet për mundësinë e përballjes me Joshuan, 31-vjeçari insistoi se ai nuk është aspak i frikësuar nga një meç i tillë dhe e talli atë për humbjen e tij kundër Andy Ruizit Joshua i kishte humbur titujt e tij në qershor të vitit të kaluar kundër meksikanit, para se ta fitonte rimeçin e zhvilluar në shkurt.
“A do ta fitoja? 100 për qind. Joshua nuk është i rrezikshëm, aspak. Ai është si një foshnjë e madhe dhe e butë”, u shpreh Fury, në intervistën e dhënë për ESPN.
“Pse do të besoja unë te aftësitë e tij kur ai u nokautua nga Andy Ruiz? Një kundërshtar që e gjeti në minutat e fundit… i cili i kishte 140 kilogramë apo sa i kishte, ai nuk stërvitej dhe Anthony Joshua s’bëri asgjë mirë as në rimeç”.
“Ai nuk ka asgjë, s’mund as të ma mbajë qiririn. Ka vetëm një kampion të peshave të rënda në botë, ka vetëm një kampion të pamposhtur të peshave të rënda në botë”.