Frankfurti refuzoi dy oferta të larta për Andre Silvën në janar

Andre Silva është njeriu i momentit te Eintracht Frankfurt dhe njëri nga sulmuesit më në formë në Evropë.

Pas vështirësive të mëdha te Milani dhe Sevilla, sulmuesi portugez ka rilindur në Gjermani me fanellën e Eintracht Frankfurt.

25-vjeçari është duke kaluar nëpër një formë fantastike, ku në 18 ndeshje në kampionat ka realizuar 16 gola dhe ka bërë tre asistime.

Falë kësaj forme të jashtëzakonshme, Silva ka pasur dy oferta shumë të mira në janar, oferta që janë refuzuar nga Frankfurti.

Mediat gjermane kanë zbuluar se Atletico Madrid dhe Wolverhampton Wanderers ishin skuadrat që kishin bërë oferta zyrtare për sulmuesin portugez.

Raportohet se të dyja skuadrat kishin ofruar më shumë se 50 milionë euro për t’i marrë shërbimet e Silvës, por që këto oferta janë refuzuar.

Silva ka një kontratë me Frankfurtin deri në qershor të vitit 2023, me klubin gjerman që e mori portugezin nga Milani si shkëmbim me Ante Rebic.

Drejtori sportiv i kësaj skuadre, Freddie Bobic i ka thënë mediave gjermane se Silva vlen shumë më shumë, por qëllimi i klubit është ta mbajë për një kohë të gjatë atë.

Reprezentuesi portugez është shënuesi i dytë më i mirë në Bundesliga pas Robert Lewandowskit, ndërsa nëse vazhdon me këtë ritëm deri në verë, vështirë se do të mbetet te Frankfurti pasi ofertat vetëm se do të rritën për të. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *