Formati i ri i Botërorit për Klube, si do të përzgjidhen 32 ekipet

Edicioni i parë i Kupës së re të Botës për Klube do të luhet midis qershorit dhe korrikut 2025 në SHBA, me 32 skuadra të ndara në 8 grupe, siç ndodh në fazën aktuale të grupeve të Ligës së Kampionëve.

Secili shtet mund të dërgojë maksimumi dy klube në këtë kompeticion të ri, përveç nëse disa skuadra nga i njëjti komb imponohen në garën kontinentale, të cilës i përkasin, siç ndodhi për shembull me dominimin e brazilianëve në “Copa Libertadores”.

Europa do të ketë të drejtën e 12 vendeve në total, 8 prej të cilave do të caktohen nëpërmjet renditjes së UEFA-s të katër viteve të fundit dhe 4 janë të rezervuara për fituesit e katër edicioneve të fundit të Ligës së Kampionëve.

Si rrjedhojë, Chelsea, Real Madrid dhe Manchester City e kanë tashmë një vend të garantuar, në pritje për të zbuluar se kush do ta ngrejë trofeun e Champions-it në finalen e ardhshme, në “Wembley”.

Duke dalë jashtë kufijve evropianë, për të njëjtën arsye tre fituesit e fundit brazilianë të “Copa Libertadores” (Palmeiras, Flamengo dhe Fluminense) kanë po ashtu një biletë në xhep.

Këtyre skuadrave do t’iu shtohen edhe tre finalistë të tjerë nga Amerika e Jugut, katër nga Azia (deri më tani Al-Hilal dhe Urawa Reds), Afrika (Al-Ahly dhe Wydad Casablanca) dhe Amerika e Veriut (Monterrey, Seattle Sounders dhe Lèon), një vend për ekipin pritës dhe Oqeaninë.

Turneu do të zhvillohet çdo katër vite, njësoj si ai i rezervuar për ekipet kombëtare dhe do t’i paraprijë një vit Kupës së Botës, të planifikuar të luhet më 2026 mes SHBA, Kanadasë dhe Meksikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *