Foda fokusohet në aspektin taktik, Kosova përfundon seancën e dytë stërvitore

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me Rumaninë dhe Lituaninë. Atmosfera brenda ekipit është e shkëlqyer, me një përkushtim të lartë të lojtarëve për t’u përgatitur maksimalisht për këto duele shumë të rëndësishme, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Gjatë seancës së sotme, përzgjedhësi Franco Foda është fokusuar te aspekti taktik, duke përshtatur strategjitë për përballjen kundër Rumanisë dhe duke i kushtuar vëmendje detajeve që mund të bëjnë diferencën në fushë.

Në këtë stërvitje munguan kapiteni Amir Rrahmani, i cili po bëri seancë rigjenerimi në hotel dhe Mërgim Vojvoda, i cili për shkak të një shqetësimi të vogël në shpinë nga stafi u vendos të pushojë. Ndërkohë, Leard Sadriu ka vazhduar stërvitjet e diferencuara për shkak të lëndimit të gishtit të dorës, të pësuar në ndeshjen e fundit me klubin e tij.

Pas përfundimit të seancës, lojtarët Ilir Krasniqi dhe Zymer Bytyqi ndanë optimizmin e tyre për ndeshjen ndaj Rumanisë. Krasniqi theksoi se grupi është plotësisht i motivuar për të dhënë maksimumin, ndërsa Bytyqi u shpreh se atmosfera dhe bashkëpunimi brenda ekipit janë të shkëlqyera dhe se të gjithë janë të fokusuar për të arritur një rezultat pozitiv.

Stërvitja e radhës e Kombëtares së Kosovës do të zhvillohet nesër në orën 11:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *