Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë se nuk është një gjë e papritur që Prishtina e ka marrë kreun e tabelës, pas fitores kundër Vushtrrisë, përderisa shtoi se ndihet keq për gjendjen e klubit rival, pasi që theksoi se edhe ai vetë me prejardhje është nga Vushtrria.
Prishtina vazhdoi me fitoren e tretë nga po kaq ndeshje të zhvilluar që nga rinisja e futbollit në Kosovë. Fitorja e sotshme kundër Vushtrrisë, me rezultat 2:0, ishte e mjaftueshme që Prishtina ta marrë pozitën e liderit në tabelë, shkaku i pikëve të humbura dje nga Ballkani, raporton GE.
Prishtina – e cila po garon edhe për titullin e kampiones së Ipko Superligës së Kosovës, edhe për atë të Kupës së Kosovës – e fitoi këtë ndeshje falë dy golave të shënuara gjatë pjesës së parë të ndeshjes, mirëpo pati raste për të shënuar fitore edhe më të thellë.
Bardhekaltrit kaluan në epërsi qysh në mionutën e 11-të të ndeshjes, falë golit të shënuar nga Oto John me kokë, pas një harkimi nga Armend Thaqi. Sulmuesi John e shënoi edhe golin e qetësisë, në minutën e 36-të, këtë herë me asistin nga Januzi.
“Ishte fitore e merituar, e menaxhuam shumë mirë ndeshjen. Nuk i lejuam kundërshtarët të na rrezikojnë në asnjë moment. Më vjen keq për ekipin e Vushtrrisë, sepse të gjithë e dinë që unë jam nga atje dhe ta shoh Vushtrrinë në këtë gjendje, me të vërtetë është shumë e vështirë për mua. Ju dëshiroj suksese në të ardhmen dhe stabilizim sa më të shpejtë”, ka thënë Dallku për Supersport pas ndeshjes.
“Neve na mbetet ende punë për të bërë, duhet të vazhdojmë me ndeshje të mira, me rezultate të mira. Përderisa janë pjesë e Superligës, të gjitha ekipet janë me meritë këtu, pavarësisht që renditja tabelore është kjo që është”.
“Ne ia kemi bërë hyzmetin punës, unë e kam përsëritur që për Prishtinën s’përbën përjashtim as Vushtrria e as Ballkani. Ne i qasemi çdo ndeshjeje me seriozitetin më të madh dhe për tri pikë. Natyrisht që dallon ndeshja prej ndeshjes”.
“E presim ndeshjen kundër Drenicës me shumë qetësi. Pavarësisht që jemi në kreun e tabelës, kjo nuk do të thotë asgjë sepse nuk është e papritur, pasi që Prishtina gjithmonë ka tentuar dhe ka qenë në kreun e tabelës. Të shohim çfarë ndodh në ndeshjet e ardhshme”.
Tani Prishtina e mban kreun e tabelës, me 37 pikë të fituara, një më shumë se Ballkani e Drita, që ende s’e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje. Në anën tjetër, Vushtrria po shkon drejt rënies në Ligën e Parë në fund të këtij sezoni, pasi që ka grumbulluar vetëm 16 pikë dhe radhitet e 11-ta në ligë.