Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës Anel Rashkaj e ka cilësuar si një paraqitje dinjitoze atë të Kosovës kundër Zvicrës në miqësoren e zhvilluar të martën në Cyrih.
Ai ka thënë se kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për të parë nivelin e skuadrës si dhe impaktin e parë të trajnerit të ri Alain Giresse.
“Mendoj që ka qenë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për trajnerin ta kemi një kundërshtar të fortë që të testojmë ekipin po ashtu për tifozët që jetojnë në Zvicër që ta kenë mundësinë ta shohin ekipin tonë nga afër. Mendoj që ka qenë një paraqitje e mirë si në aspektin individual po ashtu edhe në aspektin ekipor”.
Në lidhje me atë nëse ai ka parë ndonjë ndryshim në lojën e Kosovës nën urdhrat e trajnerit të ri Alain Giresse krahasuar me atë të aplikuar nga ish-trajneri Bernard Challandes, Rashkaj ka thënë për KosovaPress se ka vërejtur një ndryshim thelbësor.
“Po kam parë disa risi që më kanë pëlqyer në aspektin taktik. Një prej tyre ka qenë disiplina në anën defanzive dhe po ashtu loja me kundërsulme ku unë mendoj se është arma kryesore e ekipit tonë. Unë mendoj se nuk jemi ende aty të aplikojmë lojë “tiki-taka”. Disiplina defanzive dhe kundërsulmet mendoj qe do jenë qelësi kryesor për sukses të paktën për momentin. Besoj qe kemi hyrë tani me një entuziazëm te ri me trajner te ri po ashtu forma e mirë e lojtareve ne Evropë jep sinjale të mira për ndeshjet ne qershor”, tha Rashkaj në fund.
Ndryshe, Kosova në dy ndeshjet e para me trajnerin e ri mori një fitore, duke e mposhtur Burkina Fason me rezultat 5-0 dhe barazoi me Zvicrën me rezultat 1-1.