Agjenti i Mërgim Vojvodës, Ardian Aliaj ka mohuar raportimet që kosovari ka arritur marrëveshje me gjigantin italian, AC Milan.
Gjatë ditës së djeshme, ka pasur raportime për një takim të bërë nga Vojvoda me drejtorin e “Rossonerëve”, Paolo Maldini, në të cilin thuhet se u arrit marrëveshja personale (mes klubit dhe lojtarit) dhe që shtatë herë kampioni i Evropës do bëjë ofertë zyrtare në verë.
Sidoqoftë, këto raportime i ka mohuar agjenti Ardian Aliaj, i cili tha se asnjë marrëveshje nuk është arritur.
“Nuk është arritur asnjë akord, lojtari është nën kontratë me Torinon dhe është i lumtur aty”.
Tutje, Aliaj ka pranuar se Milani e pëlqen lojtarin dhe është duke e ndjekur që një kohë.
“Milan ka kohë që e ndjek dhe e pëlqen Vojvodën, por kjo është e gjitha”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, Vojvoda në këtë edicion ka qenë një ndër më të mirët te skuadra e Torinos, duke zhvilluar plotë 24 paraqitje në Seria A dhe dhuruar dy asistime.
Falë formës së mirë dhe paraqitjeve të nivelit të lartë, Vojvoda edhe ka fituar besimin e plotë të trajnerit Ivan Juric.
Vlera momentale e mbrojtësit të krahut të majtë në “Transfermarkt” vlerësohet rreth 4.5 milionë euro.
Sa i përket kontratës, Vojvoda është i ‘lidhur’ me Torinon deri në vitin 2024./Gazeta Nacionale/