FIFA lavdëron strategjinë e FFK-së për futbollin e femrave

Muajin e ardhshëm, Federata e Futbollit të Kosovës planifikon të lansojë strategjinë e futbollit për femra. FFK ka punuar me FIFA-n për hartimin e kësaj strategjie që nga tetori i vitit 2022, teksa punëtoria e fundit e FIFA-s në Prishtinë, ishte një tjetër moment historik i rëndësishëm, shkruan Fifa.com lidhur me punëtorin e mbajtur ditë më parë në ‘Emerald’.

Shkalla në të cilën futbolli i femrave është zhvilluar pozitivisht në vitet e fundit u demonstrua qartë në Kupën e Botës të Femrave të FIFA-s në Australi dhe Zelandë të Re 2023™ të këtij viti. Rreth tetë debutues ishin në mesin e 32 kombeve pjesëmarrëse, rekorde të shumta u thyen dhe parashikimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino para turneut për “Kupën e Botës më të mirë të FIFA-s për femra” ishte i padiskutueshëm. Futbolli i femrave po lulëzon!, shkruan FIFA.com.

Kjo reflektohet në faktin se 88 për qind e federatave anëtare të FIFA-s kanë një strategji të futbollit për femra, ndërsa në listë së shpejti do të shtohet edhe një anëtare tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës, shkruan tutje shtëpia e futbollit botëror në një artikull kushtuar strategjisë së FFK-së për futbollin e femrave.

“Pas disa muajsh bashkëpunimi për një strategji të re të futbollit të femrave me FFK-në, u mbajt një punëtori në Prishtinë me palët kryesore të interesuara për të prezantuar gjetjet e deritanishme dhe për të marrë informacione të mëtejshme përpara finalizimit të strategjisë”, shpjegoi Sue Ronan për FIFA.com, konsulente teknike e FIFA-s për futbollin e femrave.

“Të pranishëm ishin një përzierje e administratorëve, lojtareve dhe trajnerë të klubeve dhe kombëtareve, përfaqësues nga pushteti vendor dhe Komiteti Olimpik, si dhe stafi nga çdo departament brenda federatës. U zhvillua një ditë produktive diskutimi dhe idesh, e cila përfundimisht përcaktoi dhe prioritizoi qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e futbollit të femrave në Kosovë”, shtoi Sue Ronan.

FFK-ja ka punuar me FIFA-n që nga tetori 2022 për të zhvilluar strategjinë e përmendur nga Ronan, e cila do të lansohet me një ngjarje të madhe muajin e ardhshëm.

“Bashkëpunimi ynë me FIFA-n ka qenë i rëndësishëm në krijimin e strategjisë së parë të futbollit për femra”, tha Sanije Krasniqi, shefe e edukimit të trajnerëve në FFK dhe përzgjedhëse e ekipit kombëtar U-17 të Kosovës për femra.

“Punëtoria e fundit shënoi një moment historik të rëndësishëm, duke bashkuar jo vetëm kolegët tanë, por edhe akterët tanë të rëndësishëm. Ky takim gjithëpërfshirës përfshiu si partnerët tanë të besueshëm nga e kaluara, ashtu edhe ata me të cilët do të vazhdojmë përpara për të pasuruar më tej peizazhin e futbollit të femrave për të gjitha gratë dhe vajzat e talentuara në Kosovë në të ardhmen”, shtoi Krasniqi.

Gjatë seminarit, FFK-ja prezantoi vizionin e saj strategjik dhe caktoi secilin pjesëmarrës në një shtyllë specifike bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre profesionale. Kjo qasje lejoi diskutime të gjera dhe prezantimin e njohurive dhe sugjerimeve të reja.

“Strategjia jonë fokusohet në bërjen e futbollit si sporti më popullor dhe më i aksesueshëm për të gjithë. Ne synojmë ta arrijmë këtë duke promovuar pjesëmarrjen, zhvillimin teknik dhe konkurrencën ndërkombëtare”, shpjegoi Valbona Gashi, shefe e Futbollit të Femrave në FFK.

“Për të rritur pjesëmarrjen, ne duhet të adresojmë barrierat sociale dhe të ndryshojmë perceptimet. Qëllimi ynë është të rrisim edukimin e futbollit në shkolla, klube dhe institucione arsimore, duke bashkëpunuar me organizata dhe institucione sportive. Ne e vlerësojmë mbështetjen e FIFA-s dhe i falënderojmë për kontributin e tyre, veçanërisht mentorët tanë Sue dhe Arbenita (Morina). Së bashku, ne mund ta bëjmë realitet këtë vizion”, shtoi ajo.

Deklaratat e Valbona Gashit janë në përputhje me një nga objektivat kryesore strategjike të FIFA-s, në të cilën të gjitha federatat anëtare të FIFA-s kanë strategjinë e tyre gjithëpërfshirëse të futbollit për femra. FIFA dëshiron të rrisë futbollin e grave, të përfshijë në faza të hershme më shumë vajza në futboll, të mbajë më shumë gra në këtë sport për kohë më të gjatë dhe ta promovojë atë edhe më mirë, duke e përdorur futbollin më shumë për të mbështetur kauzat sociale.

“Futbolli i femrave në Kosovë po përjeton një rritje të dukshme. Me zhvillimin e një strategjie të dedikuar për futbollin e femrave, ne jemi gati që jo vetëm ta njohim këtë potencial, por edhe ta ushqejmë dhe ta dërgojmë atë në drejtimin e duhur”, tha Albina Rrahmani, menaxhere e Grassroots dhe përzgjedhëse e ekipit kombëtar U-19 të Kosovës për femra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *