Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të mirë në prag të udhëtimit për në Suedi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Në fakt, FIFA e ka njoftuar sot FFK-në se kërkesa e saj për ndërrimin e kombëtares për mesfushorin e klubit holandez, Vitesse, Toni Domgjoni është miratuar dhe ai ka të drejtë të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës.
Vendimi i Dhomës së Tribunalit të Futbollit në FIFA për shqyrtimin e statusit të lojtarëve ka efekt të menjëhershëm.
Kjo do të thotë se Toni Domgjoni, i cili iu bashkua Dardanëve në grumbullimin e këtij muaji, do të ketë të drejtë loje qysh nga ndeshja kundër Suedisë.
Federata e Futbollit e Kosovës i gëzohet këtij vendimi dhe i dëshiron suksese Toni Domgjonit në fanellën dardane.