Në Kosovë tash e disa ditë ka nisur vaksinimi kundër COVID-19. Fillimisht ishin mjekët ata që iu drejtuan sallës së 1 Tetorit për ta kryer procesin e vaksinimit, ndërsa së fundmi janë të moshuarit mbi moshën 80- vjeçare që po e bëjnë këtë gjë.
Megjithatë, në vendin tonë doza është e limituar, vetëm 24 mijë sosh janë siguruar, që i bije që shumë të tjerë duhet të presin akoma gjatë për të siguruar një vaksinë.
Komiteti Olimpik i Kosovës ditë më parë iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë nga e cila kërkoi t’i sigurojë vaksinat për stafin olimpik të Kosovës që do të prezantohet në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe janë në pritje të një përgjigje.
Se të gjithë kanë nevojë për një vaksinë është mese e sigurt, por prioritet duket të jenë edhe futbollistët përkatësisht klubet kosovare. Edicionin e kaluar pandemisë COVID-19 ia panë sherrin Drita e Prishtina të cilat humbën ndeshjet në tavolinë për shkak që disa lojtarë u testuan pozitivë dhe UEFA anuloi ndeshjet e tyre duke i regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në favor të kundërshtarëve.
Për të mos ndodhur kjo gjë, Federata e Futbollit e Kosovës, tashmë ka nisur kontaktet me UEFA-n dhe Federatat e tjera të fuqishme në Europë për t’i siguruar vaksinave për futbollistët në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Demokracia.com vet kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
“Ka kohë që ne kemi nisur iniciativën për të siguruar vaksinat për futbollistët në Kosovë. Fillimisht i kemi vizituar institucioneve tona si IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa së fundmi jemi në kontakte me UEFA-n dhe me miqtë tanë nëpër federatat europiane përmes të cilave tentojmë t‘i sigurojmë vaksinat. Po besoj se shumë shpejt një gjë e tillë do të sigurohet”, ka thënë Ademi.
Drita, Ballkani, Prishtina, Llapi e Dukagjini janë katër skuadrat që po e synojnë të dalin në Europë. Se cila do të arrijë mbetet të shihet por e sigurt është se një do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe dy në Ligën e Europës.
Dhe për të mos u përsëritur problemet e edicionit të kaluar, që shkaktuan humbje marramendëse financiare për klubet, por edhe në mënyrë që futbolli ynë sa më parë t’i kthehet normalitetit, institucioni i futbollit në Kosovë ka nisur iniciativën e sigurimit të vaksinave me shpresë se kjo gjë do të bëhet së shpejti.
Futbollistët janë gati për vaksinim
Është e qartë se situata me pandeminë COVID-19, më të cilën po përballemi tash e një vit e ka bërë jetën pothuaj monotone edhe për sportistët.
Ata vazhdojnë të luajnë pa praninë e tifozëve gjë e cila e ka zbehur maksimalisht garën ani pse sivjet është më joshëse se kurrë. Futbollisti i njohur Viktor Kuka në një prononcim për Demokracia.com, ka thënë se është gati të pranojë vaksinën kurdo që ajo të vjen vetëm e vetëm që vendi t’i kthehet normalitetit.
“Kisha pranuar me u vaksinu pa asnjë hezitim. Vaksinimi do të na ndihmonte t’i kthehemi jetës normale dhe mos të kemi asnjë telashe. Po bëhen më shumë se një vjet që po jetojmë në stres dhe me shumë probleme, kështu që vaksina do të ishte shpëtim”, ka thënë për Demokracia.com, Viktor Kuka.