Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar disa vendime të reja në luftën kundër pandemisë Covid-19.
Ndër tjerash, janë ndaluar edhe të gjitha aktivitet sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Mirëpo një gjë e tillë po kundërshtohet nga komuniteti sportiv në Kosovë.
Këto vendime po i kundërshton edhe Federata e Futbollit të Kosovës, pasi që skuadrat të cilat kanë siguruar pjesëmarrjen në Evropë, duhet të përgatiten për ndeshjet të cilat do të luhen gjatë muajit gusht.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për KP u shpreh se ky vendim duhet të rishikohet pasi që vendimet po merren pa konsultime me ekspertët e kësaj lëmie. Sipas tij këto skuadra duhet patjetër të ushtrojnë në mënyrë që të jenë sa më të përgatitura për arenën ndërkombëtare.
Salihu: Skuadrat që marrin pjesë në garat Evropiane, patjetër duhet të përgatiten
“Kemi pasur mbledhje të Komitetit, e kemi diskutuar pikërisht këtë për arsye se duhet me kuptua që nuk mund të merren vendime ad-hok. Jam i sigurt se sonte takohemi me kryeministrin dhe ministrinë e sportit që të kuptojmë që duhet të ketë përjashtime sepse i kemi tri ekipe që marrin pjesë në garat Evropiane dhe kështu kemi probleme të jashtëzakonshme me sistemin, regjimin e vizave sepse ambasadat nuk po punojnë, pastaj në mënyrën e testimit sepse aty mund të kem lojëra shumë dhe ne në fund të fundit nuk e kemi obligim ligjor që për klubet të kujdesemi por e kemi obligim moral sepse klubet tona janë pa përvojë dhe do të ju gjendemi krahë për ti tejkaluar këto probleme. Kuptohet që këto klube, por edhe klubi i femrave që marrin pjesë në garat Evropiane duhet të jenë të përgatitura dhe duhet të ushtrojnë”, tha ai.