Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot (e mërkurë) një takim me përfaqësuesit e 12 ekipeve të Superligës së Kosovës.
Në këtë takim, është diskutuar për mundësinë e vazhdimit të sezonit, pas ndërprerjes që solli COVID-19.
FFK njofton se ka kërkuar nga institucionet që të lejohet rikthimi i futbollit nga 24 maji me dy ndeshje të kupës, ndërsa nga 1 qershori, të vazhdojë kampionati.
Njoftimi i FFK-së
Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është mbajtur takim me përfaqësuesit e 12 klubeve të Ipko Superligës.
Në këtë takim të pranishëm ishin nënkryetari Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe shefi i financave, Agim Gashi. Temë e parë e këtij takimi ishte mundësia e rifillimit të garave, ku sekretari i përgjithshëm i njoftoi klubet se presidenti Ademi është në takimin e përbashkët të federatave me ministren Dumoshi dhe se tashmë FFK-ja iu ka drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve që klubeve t’u mundësohet kthimi në stërvitje në mesin e këtij muaji si dhe zhvillimi i dy ndeshjeve gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës më 24 maj dhe rifillimi i kampionatit më 1 qershor, pasi afatet e parapara për rikthimin e aktiviteteve sportive me masat lehtësuese nga Ministria e Shëndetësisë nuk i mundësojnë FFK-së përfundimin e garave në afatet e parapara të UEFA-s. Sa i përket kësaj çështje përfaqësuesit e të gjitha klubeve ishin unik dhe të pajtimit që nëse pranohen afatet e FFK-së të rifillohet me gara, përndryshe nuk do të ketë mundësi të vazhdimit të kampionatit.
Më tej është biseduar rreth fondeve nga UEFA e FIFA, ku nënkryetari Dibrani dhe sekretari i përgjithshëm Salihu ua kanë sqaruar klubeve se këto fonde janë të përvitshme për projektet e federatave, por këtë herë UEFA ka vendosur që t’ua alokojë këto mjete më herët si pasojë e pandemisë.
Ndërkohë, klubet janë njoftuar se FFK do t’i qëndrojë atyre afër dhe se të gjitha mjetet që do të vijnë nga pako emergjente e Ministrisë së Sportit do t’u përcillen klubeve, derisa KE i FFK-së do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për t’i ndihmuar klubet sërish nga fondet e saj, varësisht se si do të rrjedhë situata me pandeminë dhe nëse do të fillojë apo jo kampionati.
Në fund është diskutuar edhe transparenca e financave, ku nënkryetari Dibrani ka njoftuar klubet se auditimi është bërë dhe bëhet në vazhdimësi, si nga auditorët e brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm nga FIFA e UEFA. Disa nga klubet kanë kërkuar që auditimi të jetë eksternal, me ç’rast nënkryetari Dibrani ka thënë se nëse e lejon ligji do të bëhet edhe auditim mbi auditim, ngase FFK nuk ka çfarë të fshehë dhe gjithçka e bën me transparencë të plotë dhe për këtë i përgjigjet UEFA-s dhe FIFA-s.