Të nesërmen e mbrëmjes së festës në shtëpinë e Weston McKennie, detaje të reja dalin në dritë. Ato përfshijnë edhe dy lojtarë të tjerë të Juventusit, Dybala me Arthur. Fqinji i lojtarit amerikan foli për “Corriere della Sera”: “Unë nuk mendoj se të jesh një futbollist i famshëm të jep të drejtën të jesh mbi rregullat. Rreth orës 23:30, unë dola për të shëtitur qenin.
Pashë një varg makinash të parkuara buzë rrugës dhe një grup njerëzish, të gjithë pa maska, para portës. Kishte “Mercedes” me targa spanjolle, shumë “Jeep” dhe më pas disa taksi mbërritën me vajza të reja në bord. Meqenëse darkat me miqtë nuk lejohen dhe kufizimet kanë nisur kohë më parë, vendosa të njoftoj policinë”.
Në intervistë, fqinji specifikon: “A identifikuan karabinierët një duzinë mysafirësh? Kaq më duken pak, për mendimin tim kishte shumë më tepër, mbase dikush është larguar. Unë nuk kam asgjë kundër McKennie, i cili është një djalë i qetë. Ai qëndron në shtëpi ose shkon të stërvitet, duket një profesionist i mirë. Edhe unë jam tifoz i Juventusit. Për këtë më vjen keq, por në vend që të organizojnë ështu ahengjesh, të mendojnë më shumë për fushën…”