Ekipi nga Drenasi kërkojnë që ky sezon të rifillojë patjetër sepse është e pandershme që të shpallet kampioni në këtë faze ku ende nuk është zhvilluar pjesa e tretë e kampionatit.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, zëdhënësi i klubit, Erlind Krasniqi tha se duhet të vazhdojë kampionati si dhe gara e Kupës së Kosovës
“Është detyrë e Institutit të Shëndetësisë Publike të përcaktojë vazhdimin apo jo të kampionatit, ata e kanë paraparë se në fazën e tretë të rikthehen eventet sportive, sidoqoftë edhe me vazhdimin e kampionatit ndeshjet do të duhej të zhvilloheshin nën masa të rrepta higjenike dhe pa përfshirjen e tifozëve. Ky vit ka qenë i çuditshëm në të gjitha aspektet dhe një zhvillim i tillë i kampionatit do të ishte i çuditshëm poashtu. Ne mendojmë që kampionati duhet të vazhdojë poashtu edhe gara e Kupës së Kosovës. Do të ishte e pandershme të shpallet kampioni dhe të bien nga liga klube që nuk mundën të luftonin deri në ndeshjen e fundit” – u shpreh Krasniqi
Ndërsa i pyetur se nëse përfundon kampionati a duhet të shpallet kampioni sipas renditjes tabelare ai tha se UEFA duhet të jetë me e qartë në praktikat që duhet të ndiqen
“Në praktikat ndërkombëtare po shohim që disa klube po shpallin kampionë kreun e tabelës, disa të tjera po e përmbyllin kampionatin pa kampion aktual. Mendoj që në rastin më të keq pra të ndërprerjes së kampionatit, UEFA duhet të jetë më e qartë në praktikat që duhet të ndjeken, pasi që federatat e ndryshme nuk po reagojnë njëzëri” – u shpreh Erlin Krasniqi, zëdhënës i KF Feronikelit.
Kujtojmë që Feronikeli vitin e kaluar ishte kampion i Superligës, ndërsa momentalisht ka ngecur prapa dhe është larg nga lufta për titull, ku gjendet në vendin e pestë me 34 pike, 10 me pak se lideri Ballkani.