Polonia zhgënjeu në ndeshjen e parë të kualifikueseve të Euro 2024, teksa pësoi një humbje me rezultatin e thellë 3 me 1, ndaj Çekisë dhe tashmë lojtarët polakë kanë premtuar “luftë” të vërtetë në përballjen me “legjionarët” e Kombëtares sonë ditën e nesërme.
Një deklaratë të tillë e ka bërë dhe tekniku i “shqiponjave të bardha”, Fernando Santos, i cili edhe pse e konsideron si një grup të fortë Kombëtaren shqiptare, tha se do të jenë vetë polakët ata që do të vendosin në ndeshjen e së hënës.
“Shumë lojtarë të Shqipërisë luajnë për klube të mëdha, por dhe lojtarët tanë luajnë për ekipe të mëdha. Nëse qëndrojmë të fokusuar, atëherë do të kemi kualitetin për të shmangur problemet.
Ne duam të tregojmë karakterin dhe atë që e karakterizon Poloninë. Aftësia për të sakrifikuar dhe aftësia për të bërë gjëra të mëdha. Mund të themi që e respektojmë skuadrën shqiptare, por ne jemi ata që vendosin këtu”,- tha Fernando Santos, për përballjen me Shqipërinë.