Bruno Fernandes ka shpjeguar pse e lejoi Cristiano Ronaldon që ta gjuaj penalltinë që rezultoi të ishte goli i fitores për Manchester United mbrëmë kundër Arsenal.
Me pikët e reja, United ngjitet në pozitën e shtatë në tabelën e Premier Ligës angleze, ku Fernandes shënoi golin e parë, para se Ronaldo të shënonte dy gola.
Goli i dytë i Ronaldos erdhi nga pika e bardhë, ku detyrën e penalltive që e kishte Fernandes ia dorëzoi bashkëlojtarit dhe bashkëkombësit të tij Ronaldos.
Fernandes thotë që ai ishte i lumtur që ia la këtë përgjegjësi Ronaldos, pasi që e humbi penalltinë e tij të fundit në humbjen 1:0 kundër Aston Villas më 25 shtator.
“Ne nuk biseduam. Unë e humba penalltinë e fundit kështu që i besoj atij në mënyrën e njëjtë që i besoj vetës. Ishte koha që Ronaldo ta gjuaj penalltinë sepse të fundit e kisha gjuajtur unë dhe nuk e kam konkretizuar me gol. Por, nuk është e rëndësishme se kush e gjuan penalltinë”, tha Fernandes.
Ronaldo kaloi shifrën e 800 golave në karrierë mbrëmë me golin e tij të dytë kundër Arsenalit, ku tani ka regjistruar 12 gola në 16 paraqitje në të gjitha garat për Manchester United.