Skuadra e Lirisë që siguroi inkuadrimin në Superligën e Kosovës, mund ta humbasë ndeshjen e barazhit në tavolinë me rezultat 3-0.
Kjo pasi klubi i Ferizajt ka dorëzuar ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës nën bazën se disa lojtarë të Lirisë sipas tyre, nuk kanë pasë kontratë valide.
Si arsye nga kryetari i Ferizajt, Lulzim Abazi, është thënë se disa nga futbollistët e Lirisë kanë kontrata me klubin bardhezi deri më 31 maj, teksa kjo përballje është zhvilluar më 4 qershor.
Abazi deklaroi për Klankosova.tv se presin lajme pozitive në lidhje me këtë
“Ne kemi dorëzuar ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës për shkak se siç marrim ne vesh disa lojtarë të Lirisë kanë pasë kontratë vetëm deri më 31 maj, e kjo nuk qëndron me rregullat e FFK-së dhe UEFA-s, ka thënë Abazi.
Por ndryshe po thotë kryetari i Lirisë, Qemal Krasniqi, i cili për Klankosova.tv theksoi se nuk qëndron pretendimi i Ferizajt.
Krasniqi theksoi se janë në rregull me kontratat, pasi sipas tij, i kanë rinovuar ato me kohë.
“Lojtarëve që u kanë skaduar kontratat më 31 maj, iu është rinovuar kontrata të gjithëve. Lojtarët kanë qenë të licencuar për stinorin 2022-23 dhe jemi gjithçka në rregull. Jemi konsultuar edhe me juristët”, ka thënë Krasniqi për Klankosova.tv.
Ndryshe, Liria fitoi ndaj Ferizajt me anë të penaltive në ndeshjen e barazhit, kështu duke siguruar rikthimin në Superligë pas katër vjetësh.