Faza finale e Ligës së Kombeve, sot hidhet shorti në Nyon të Zvicrës

Pas përfundimit të fazës së grupeve, sot do të hidhet edhe shorti për fazën finale të Ligës së Kombeve, ku katër fitueset e grupeve të Ligës A do të garojnë për të fituar edicionin e dytë të kompeticionit më të ri të UEFA-s.

Kështu ceremonia e shortit do të startojë në orën 17:30 në zyrat qendrore të UEFA-s në Nyon dhe do të transmetohet live në Supersport 1, ndërsa Italia, Belgjika, Franca e Spanja do të jenë skuadrat që do të garojnë për të fituar trofeun.

Dy gjysmëfinalet e kësaj faze janë parashikuar për t’u zhvilluar më datat 6 dhe 7 tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa finalja e madhe dhe sfida për vendin e tretë do të luhen më datën 10 tetor 2021.

Teorikisht faza finale e kompeticionit duhet të luhet të Itali, duke qenë se “të kaltrit” janë fituesit e grupit 1 të Ligës A dhe nëse autoritetet italiane japin miratimin, atëherë ndeshjet do të zhvillohen në Milano e Torino, ndërsa plani B janë Holanda ose Polonia.

Gjithsesi stadiumet ku do të luhen finalet dhe oraret e tyre, do të njoftohen nga vetë UEFA në përfundim të shortit të sotëm, të cilin mund ta ndiqni në Supersport 1, duke nisur nga ora 17:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *