“Fair-Play Financiar”, Newcastle gati të heqë dorë nga dy “yjet” e skuadrës

Newcastle nuk po kalon një moment të mirë në Premier League, me skuadrën që aktualisht pozicionohet në vendin e 10-të me 29 pikë, larg zonës europiane, teksa në “ishull” ka pësuar katër humbje radhazi.

Megjithatë, kriza nuk është vetëm te rezultatet, kjo pasi drejtuesit e klubit kanë nisur nga puna për të rregulluar bilancet, sepse në verë ata dëshirojnë që të jenë brenda rregullave të “Fair-Play Financiar”.

Për ta bërë të mundur këtë, Newcastle duhet të heqë dorë nga disa prej “yjeve” të saj, teksa mediet britanike kanë raportuar se drejtuesit po mendojnë dy largime me peshë si, Bruno Guimaraes dhe Alexander Isak.

Merkato e verës solli problem të reja, pasi investimi i Tonalit nuk ka dhënë fryte, me italianin që është pezulluar nga aktiviteti dhe tashmë dy lojtarët me shumë mundësi do të largohen gjatë verës së ardhshme.

Bruno është pjesë e skuadrës prej vitit 2022 kohë kur erdhi nga Lyon për 42.1 milionë euro dhe vlera e tij në treg momentalisht është rreth 85 milionë euro dhe braziliani ka shumë “admirues” në Premier League dhe jo vetëm.

Në krahun tjetër, suedezi Isak u bashkua me anglezët po në vitin 2022 dhe deri më tani ka treguar vlerat e tij sepse në 38 ndeshje vetëm në Premier League ka shënuar 20 gola dhe ashtu si Bruno edhe Alexander mund të kthehet në qendër të vëmendjes për shumë skuadra në Angli, por nuk përjashtohet edhe pista e rikthimit në La Liga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *