Euro 2024 | Kosova dhe Shqipëria mësojnë sot kundërshtarët e kualifikueseve

Sot me fillim nga ora 12:00 Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mësojnë kundërshtarët e tyre për kualifikueset për Euro 2024. Hedhja e shortit do të bëhet në Frankfurt të Gjermanisë.

Në fazën e kualifikueseve të këtij turneu pjesëmarrëse do të jenë 53 skuadra, kurse Gjermania në rolin e organizatores së Euro 2024 kualifikohet automatikisht dhe për këtë arsye nuk merr pjesë në short.

Ndërkaq, si pasojë e sanksioneve nga UEFA dhe FIFA pas shkak të pushtimit të një pjese të Ukrainës, Rusia është përjashtuar edhe nga ky turne, dhe nuk do të jetë pjesë e shortit të Euro 2024.

53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve së 9 tetorit janë ndarë nëpër gjashtë vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të Ligës së Kombeve 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J).

Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.

Kosova është e pozicionuar në vazon numër 4, së bashku me Gjeorgjinë, Greqinë, Turqinë, Kazakistanin, Luksemburgun, Azerbajxhanin, Bullgarinë, Ishujt Faroe dhe Maqedoninë e Veriut.

Në anën tjetër, Shqipëria zë vend në vazon numër 3, ku të përfshira janë edhe Ukraina, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Irlanda, Mali i Zi, Rumania, Suedia dhe Armenia.

Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Kosova nuk mund të jetë në të njëjtin grup me Serbinë ose Bosnje Hercegovinën. I njëjti rregull vlen edhe për: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *