Eroll Salihu përgënjeshtron deklarimet e Remzi Ejupit

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i është kundërpërgjigjur kryetarit të FC Prishtina, Remzi Ejupi, për deklaratat e dhëna javën e kaluar, pas takimit Gjilani – Prishtina.

Ejupi, i ftuar në emisionin “Favorit” në “T7”, kishte thënë se edhe Salihu ia kishte përmendur se ajo që ka ndodhur në Gjilan ishte krim.

“Natyrisht që kemi pasur kontakt me Federatën pas ndeshjes. Kam folur me vetë sekretarin e Federatës dhe ai më tha: ‘Ky është krim’ dhe ma thotë këtë vetë sekretari i Federatës”, kishte thënë Ejupi, përcjell Gazeta Olle.

Ndërkohë, i ftuar mbrëmë në “RTV 21”, Eroll Salihu u pyet për ndeshjen Gjilani – Prishtina, derisa përgënjeshtroi deklarimet e Ejupit.

“Faleminderit për mundësinë e dhënë që të shprehem në lidhje me këtë ndeshje, sepse ka pasur deklarata të Remzi Ejupin, kinse unë i paskam thënë atij se ajo që ka ndodhur ishte krim. Këto janë të pavërteta dhe nuk ka të bëjë këtu asgjë me këtë”, tha Salihu.

Ejupi e kishte vizituar FFK-në, por që nuk dihet përse kërkoi takim me kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *