Epoka e Giresses nis me “këmbë të mbarë”, Kosova e deklason Burkina Fason në miqësore

Kombëtarja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2022 dhe njëherit epokën me trajnerin e ri, Alain Giresse. “Dardanët” triumfuan thellë 5:0 kundër Kombëtares së Burkina Fasos në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Me dy gola në pjesën e parë dhe tre në të dytën, Kosova “vulosi” fitoren e parë nën drejtimin e francezit.

Mbrojtësi, Fidan Aliti është autor i golit të parë për “Dardanët” në minutën e 3-të të takimit. Edon Zhegrova, ylli i Lilles luajti rolin e asistuesit në golin e parë.

20 minuta më vonë në skenë doli sulmuesi, Astrit Selmani që realizoi një gol maestral. Selmani goditi fuqishëm një top nga këndi i majtë i fushës, teksa vetëm rrjeta arriti ta ndalte atë.

Në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 53-të radha ishte për mbrojtësin e krahut, Mërgim Vojvodën i cili realizoi pas një aksioni mirë të ndëruar.

Po rrjedhte minuta e 68-të e përballjes kur Milot Rashica konkretizoi me gol nga këndi. Kurse golin e fundit për djelmoshat e Kosovës e realizoi Toni Domgjoni nga një pozitë aspak e lehtë.

Kujtojmë se reprezentacioni i Kosovës pesë ditë më vonë do të vizitojë Zurichut për t’u ndeshur me Zvicrën në një tjetër takim kontrollues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *