Elvis Rexhbeçaj: Mezi pres ta vesh fanellën e Kosovës

Mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka startuar furishëm në edicionin e ri. Në një intervistë ai ka treguar pse nuk ka vendosur deri më tani për Kosovën, për lëndimin që e kaloi dhe për planet e synimet me përfaqësuese

Te Kombëtarja e Kosovës në futboll i janë gëzuar shumë vendimit që Elvis Rexhbeçaj e mori, më në fund, 13 korrik. Mesfushori, pas pritjes së gjatë, vendosi të luajë për “Dardanët”.

I gëzuar që do të paraqitet për Kosovën është shprehur edhe vetë futbollisti i Augsburgut gjerman.
26-vjeçari javën tjetër pritet të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës për herë të parë.

Ai ka thënë të hënën për KOHËN se mezi pret të paraqitet me fanellën e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur dhe mezi pres që ta vesh fanellën e Kosovës. Kryetari Agim Ademi e ka ditur që problemi ka qenë te pasaporta. E falënderoj për mirëkuptim. Por tash me ardhjen e ligjit të ri, nuk kam pritur asnjë sekondë për t’u pajisur me pasaportën e Kosovës. Si unë, ashtu edhe familja ime, jemi shumë të lumtur. Kam pasur kontakte të mira me trajnerin Foda, pastaj vëllai dhe babai janë takuar me Bajram Shalën dhe kane kaluar shumë mirë”, ka thënë Rexhbeçaj.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, nuk e ka publikuar ende listën e lojtarëve për ndeshjet e muajit shtator. Por emri i futbollistit që ka luajtur 160 ndeshje në Bundesligë të Gjermanisë, nuk pritet të mungojë.

Kosova më 6 shtator luan ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse tri ditë më pas luan në udhëtim ndaj Qipros. Të dyja ndeshjet i takojnë edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Rexhbeçaj pret të debutojë me fanellën e Kosovës në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur që do të luajmë në Prishtinë”, ka shtuar mesfushori qendror.

Ardhja e Rexhbeçajt në përfaqësuese është vlerësuar fitore e madhe për Kosovën. Mesfusha e Kosovës nuk ka qenë stabile për shumë vjet dhe Rexhbeçaj pritet të kontribuojë që kjo të ndryshojë.

Rexhbeçaj ka pasaportë të Gjermanisë dhe të Kosovës. Ai shquhet për kilometrat e shumtë që i bën duke vrapuar në fushë. Qëndron lart në listë edhe për faullet që shkaktohen ndaj tij, për përqindjen e pasimeve të sakta dhe për ndërhyrjet e suksesshme.

Ai pret të paraqitet me Kosovën në ndonjë ngjarje të madhe futbolli. Deri më tani kualifikimi nuk ishte shumë afër, ndërsa në vitet e fundit kualifikimi eventual u bë gjithnjë e më i largët.

“E kemi ekipin e mirë dhe duhet të luftojmë për njëri-tjetrin, pastaj edhe shikuesit duhet të jenë pas nesh. Vetëm kështu mund të arrijmë që Kosovën ta dërgojmë përpara”, ka thënë Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj e ka nisur mbarë edicionin 2024/2025.

Pas golit të realizuar për Kupë të Gjermanisë, në fitoren 4:1 të Augsburgut më 18 gusht ndaj Viktoria Berlinit, mesfushori shënoi supergol në fundjavën e kaluar, në ndeshjen të cilën Augsburgu e mbylli baras, 2:2, me Werder Bremenin, në xhiron e parë të Bundesligës. Topi i goditur nga Rexhbeçaj lëvizi në shpejtësi prej 106 kilometra në orë.

Ai tregon se ka punuar shumë për ta kthyer formën pas lëndimit.

“Ende është herët të themi se jam në superformë. Por unë kam dhënë gjithçka nga vetja për të qenë i gatshëm për fillimin e sezonit, në Kupë dhe në Bundesligë. Nuk kam pasur pushim gjatë verës. Kam qenë me mjekë dhe trajnerë atletikë për afro 5-6 orë, çdo ditë, për katër muaj. Ka qenë kohë e vështirë. Por e kam bërë të pamundurën për ta shëruar këmbën. Tani pas dy ndeshjeve i kam shënuar dy gola. Jam shumë i lumtur që edhe këmba nuk po më bën problem. Por për të thënë se jam në superformë, ende është herët. Shpresoj të vazhdoj kështu”, ka thënë Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Wolfsburgut, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Koelni e Bochumi.

Ai tregohet i matur kur flet edhe për synimet me klubin aktual, Augsburg.
“Për mua së pari është e rëndësishme qe të qëndroj i gatshëm në aspektin fizik. Të mos lëndohem është me e rëndësishmja për mua. Ka qenë lëndimi im i parë kaq i gjatë. Po besoj që e kemi ekipin e mirë, stadiumi është i mbushur plot. Tifozët i kemi të fortë dhe besoj se kur luftojmë bashkë, mundemi të arrijmë diçka shumë të mirë. Ende është herët për te folur por në fund të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj në sa më shumë suksese”, ka thënë Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese. Debutimin ndërkombëtar do ta bëjë në moshën 26-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *