Skuadra franceze, Lille e ka siguruar pjesëmarrjen në mesin e 36 skuadrave më të mira evropiane në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, derisa vulën këtij suksesi ia dha futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova.
Sulmuesi anësor dardan shkëlqeu në të dyja ndeshjet e ‘play-off’-it kundër Slavia Pragës. Në fitoren 2:0 në shtëpi, realizoi golin e dytë, derisa në ndeshjen e kthimit në Pragë shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij në humbjen 2:1, por që ishte i mjaftueshëm për të siguruar biletën për kualifikim tutje.
Zhegrova realizoi një supergol në minutën e 77-të me gjuajtje nga distanca.
Kjo është pjesëmarrja e tretë për futbollistin dardan në garën elite të futbollit evropian.