Edin Hyseni, i cili jeton në Gjermani, me paraqitjet e tij jo vetëm te grup-moshat e reja te Kosova, por edhe në ekipet e tij në Gjermani ka bërë që shumë sy të kthehen nga ky talent.
Kosova ka kohë që njihet si vatër e talenteve. Prezantimi i saj në arenën ndërkombëtare në vitet e fundit ka bërë që e gjithë bota tashmë të flasë për këtë vend të vogël, duke e shndërruar shtetin tonë në tregim suksesi.
Kjo falë edhe talenteve të mëdha shqiptare, që jetojnë në diasporë. Edhe pse larg vendit dhe me shumë vuajtje, ata asnjëherë nuk ia kthyen shpinën dhe në momentet e para që iu dha mundësia të kontribuojnë për vendin tonë nuk refuzuan.
I tillë është 18-vjeçari Edin Hyseni, i cili jeton në Gjermani, me paraqitjet e tij jo vetëm te grup-moshat e reja te Kosova, por edhe në ekipet e tij në Gjermani ka bërë që shumë sy të kthehen nga ky talent, i cili së fundmi ka nënshkruar kontratë profesionale me skuadrën gjermane FC Schweinfurt 05 në Bundesligan 3.
Karrierën e nisi te Ft Starnberg 09, te grup-moshat U8-U9, për të vazhduar te FC Bayern U10 dhe te TSV 1860 Munchen U13-U19, ndërsa së fundmi bëri kontratë profesionale me FC Schweinfurt 05. Te Kosova U16 ka 12 ndeshje, 2 gola e 6 asistime, ndërsa tek U17 ka 6 ndeshje e 2 asistime. Ai te DFB Bayern Republika ishte i nominuar vazhdimisht nga U14-U17.
Edini, që luan pozicionin mesfushor/sulmues krahu, në një bisedë ekskluzive për “Zeri.info” ka shpalosur ëndrrat që ka për të ardhmen, derisa beson shumë se në një të ardhme të afërt do të jetë në listën e emrave që Kosova të krenohet me të.
“Është kënaqësi që pas 7 vjetësh në akademitë më të mëdha profesionale të futbollit në Gjermani, një vit te Fc Bayern dhe 6 vjet te 1860 Munchen, të na ofrohet një mundësi e tillë. Puna dhe disiplina u vlerësua dhe e pranoj këtë kontratë 2-vjeçare për Regional Ligën dhe Bundesligan 3. 95% e lojtarëve në Bundesligan 1 e bëjnë këtë udhëtim në mosha të reja. E duke pasur parasysh këtë fakt, atëherë them se është një arritje e madhe”, ka thënë Edin Hyseni për “Zeri.info”, sipas të cilit skuadrat e Bundesligas e kanë si cak Ligën e Tretë, pasi aty zbulojnë shumë talente.
Hyseni, i cili është pjesë e Kosovës që nga grup-moshat e reja, asnjëherë nuk ka pasur dyshime se ngjyrat e cilit shtet duhet t’i mbrojë.
Ai ka qenë i përzgjedhur për Kosovën U15, në kampin e parë që u mbajt në Gjermani. Ishte kampi i parë pas pranimit në UEFA në tetor 2016 dhe nga atëherë ka qenë futbollist standard me U15 dhe U17, ndërsa momentalisht është pjesë e U19 te Kosova.
“Kënaqësi e papërshkruar me fjalë dhe obligim shpirtëror t’i mbroj ngjyrat e kombit. Këtu falënderoj gjithë stafin dhe përkrahjen e FFK-së për mundësinë e dhënë për talentet nga diaspora, trajnerët: Gazmend Haliti, Isa Sadriu, Besnik Kollari, Fadil Berisha dhe Ramiz Krasniqi, që më besuan ta vesh deri tash këtë fanellë të Kombëtares së Kosovës”.
“Kam qenë i ftuar që nga U14- U17 në kampe të rregullta të DFB nën ombrellën e Republikës së Bavarisë në nominimet ndër 20 lojtarët më të mirë, por kur erdhi thirrja nga Kosova ishte kënaqësi e paimagjinueshme për mua”, ka thënë talenti 18-vjeçar, i cili beson se nëse vazhdon me të këtë formë një ditë të jetë në listën e gjatë të talenteve kosovare nga e gjithë bota.
Edini beson se shpejt do të jetë pjesë edhe e ekipit A të Kosovës, edhe pse tash për tash nuk ka pasur ndonjë kontakte me trajnerin Bernard Challandes.
“Kontakt nuk kam pasur nga Ekipi A dhe them se ende është herët. Dëshiroj që tek U19- U21 të kem formë të mirë e pastaj Ekipi A është si ‘qershia mbi tortë’.
Nga skuadra e re pres ta gjej veten dhe t’ua kthej me lojë të mira dhe suksese besimin e dhënë. Jam lojtari më i ri i ekipit dhe hera e parë që ndahem nga gjiri familjar.
Gjithsesi, ëndrra ime po bëhet realitet. Dëshiroj që e gjithë rinia e Kosovës të punojë dhe të ketë besim në Zotin, veten dhe në shtetin tonë të shtrenjtë, Kosovën”, ka përfunduar Edin Hyseni.