Klubi i madh zviceran i futbollit, Baseli, vazhdon të besojë shumë në futbollistët shqiptarë.
Për Baselin të enjten ka startuar Elis Isufi, 19-vjeçari që është aktivizuar në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Baseli po luan me APOEL-in e Nikozisë në 1\16 e finales të Ligës së Evropës. Pas pjesës së parë rezultati është 1:0 në të mirë të Baselit.
Baseli ndeshjen e parë në Qipro e ka fituar me rezultatin 3:0 dhe thuajse e ka kryer punën e kualifikimit.
Isufi 19-vjeçar është i lindur në Zvicër. Është rritur si lojtar te Baseli, ndërsa këtë edicion është promovuar në ekipin e parë. Ka luajtur edhe me ekipin U-21 në kategorinë e tretë zvicerane.
Ka një ndeshje për Kupë të Zvicrës me ekipin e parë, ndërsa në Superligë nuk ka debutuar ende.
Në Evropë po ashtu po e luan takimin e parë. Ai është pjesë e U-20 të Zvicrës, ndërsa ka luajtur me të gjitha grupmoshat e reja.
Te Baseli kanë startuar edhe Taulant Xhaka e Kemal Ademi. Ademi është zëvendësuar në minutën e 32-të për shkak të një lëndimi.