Lajme të këqija në 24 orët e fundit në vendin tonë, sa i takon situatës së Covid-19. Një tjetër qytetar, 69 vjeç, ka humbur jetën në Spitalin Infektiv, duke e dërguar në 33 numrin e viktimave të kësaj pandemie, ndërsa janë identifikuar polot 25 raste të reja. Pra, kurba e infeksionit ka kërcyer frikshëm, duke iu afruar mbi mesatares së tërë periudhës së karantinimit. Po kështu, po shtohen dita-ditës edhe njerëzit e shtruar në spital, që kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore. Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë nga Tirana, me bazë një “call center”.
Ja njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit.
Që nga fillimi epidemisë, 33 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19. Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Ne 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.