Nuk po i ecën se nuk po i ecën. Eden Hazard është ndalur përsëri.
29-vjeçari është dëmtuar në humbjen turpëruese të Real Madridit në shtëpi, nga Alaves 1-2.
Nuk kishte pak ditë që ishte kthyer pas një dëmtimi më të rëndë, dhe është ndalur sërish – s’do të udhëtojë me skuadrën për ndeshjen në Champions League me Shakhtarin.
Atij nuk po i ecën aspak me fanellën e bardhë, sepse ka pësuar lëndime më shumë se gjithë karrierën me fanellën e Lilles dhe Chelseat.
Ai tashmë po luan sezonin e dytë me Realin, por shifrat janë zhgënjyese për një futbollist që ka kushtuar mbi 100 milionë euro.
Vetëm 19 ndeshje deri më tani që nga gushti i vitit 2019 dhe vetëm 3 gola, tregojnë më së miri se Eden Hazardit ia ka prerë rrugën “macja e zezë” dhe më shumë po qëndron në infermieri sesa në fushë.
Zinedine Zidane nuk ka treguar sa do të jetë jashtë kësaj radhe, por tashmë dihet se kurdo që kthehet, Hazard s’do të jetë i njëjti dhe përveç kësaj, frika është e madhe te Reali se lëndimet do të vazhdojnë ta ndjekin si asnjëherë më parë në karrierë. /